2010-10-30 17:04:25

Shenjtorët e javës 1-7 nëntor 2010


Sot e dielë 31 tetor, Kisha kremton të dielën e 31-të gjatë vitit Kishtar e po më 31 tetor kalendari përkujton edhe shën Rodriguezin, rregulltar jezuit dhe shën Alfonsin (emri i të cilit në gjuhën shqipe ka marrë trajtat Ukë e Ukshin).
Liturgjia na kujton se Hyji është këngë e shpëtim për ata që i besojnë me gjithë zemër. E vetëm Zoti mund të na e thotë kush shëlbohet e kush jo! Ne vetëm mund të përpiqemi për t’u shëlbuar, duke e lënë Zotin të na prijë me fjalën e tij. Në se do të jetojmë ashtu si na mëson ai, sigurisht do të hyjmë edhe në mbretërinë e amshuar.

Të hënën më 1 nëntor, Kisha kremton solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – “Dita e të shuemve”, që do të kremtohet të martën e ardhshme më 2 nëntor, na kujton se asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e kemi jetuar duke ecur pas Krishtit: jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Shën Martini i Porres dhe Shën Silvia, nëna e Shën Gregorit të madh, që do të festohen të mërkuën e ardhshme më 3 nëntor, na kujtojnë se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.

Të enjten që vjen më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe Shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të premten më 5 nëntor do të kremtohen Shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

‘Jepi, o Zot shërbëtorit tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim këtë lutje së bashku me Shën Leonardin vetmitar, që do të kremtohet të shtunën më 6 nëntor e që na kujtojnë se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të bestytnisë e të egoizmit.

Të dielën e ardhshme më 7 nëntor, Kisha do të kremtojë të dielën e 32-të gjatë vitit liturgjik e po më 7 nëntor Shën Ernesti, të cilin Kisha do ta kremtojë të mërkurën, na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.








All the contents on this site are copyrighted ©.