2010-10-30 16:21:48

Njëqind mijë të rinj të Veprimit Katolik në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa: vetëm në Krishtin gjejmë dashurinë e vërtetë e lirinë e vërtetë.


(31.10.2010 RV)Një festë feje, një çast gëzimi e entuziazmi: këtë atmosferë jetoi dje Sheshi i Shën Pjetrit, i pushtuar nga njëqind mijë të rinj të Veprimit Katolik. Një ngjarje, që u përqendrua tek tema: “Ka edhe më. Do të bëhemi të mëdhenj së bashku”, e që arriti kulmin në takimin e djeshëm me Benediktin XVI. Në dialogun e të rinjve me Papën, u prekën tema të forta, si dashuria, edukimi dhe dëshmia ungjillore në jetën e përditshme.RealAudioMP3

“Kini guximin të mos e lini asnjë mjedis pa Jezu Krishtin!”- kjo është detyra që u ngarkoi Papa të rinjve të Veprimit Katolik, duke iu përgjigjur tri pyetjeve, drejtuar nga vetë të rinjtë dhe dukatorët e tyre, të nisur nga tema e takimit: “Ka edhe më”. Benedikti XVI theksoi se të rritesh, nuk do të thotë vetëm të hedhësh shtat. E u besoi edhe një kujtim personal:
“Unë, kur isha djalë, në moshën tuaj, isha më i vogli në klasë e kisha shumë dëshirë të bëhesha, një ditë, shumë i madh, e jo vetëm me shtat, por edhe me punë. Dëshiroja të bëja diçka të madhe në jetë, edhe pse nuk i dija fjalët ‘Ka edhe më!”.
Më pas Papa nënvizoi ç’do të thotë të jesh vërtet i madh, ose më mirë të themi, të rritesh përmes miqësisë me Jezusin. Një mësim, që na e jep vetë Krishti në Ungjill, kur i qorton të rriturit e u thotë: “Lërini këtu të gjithë fëmijët, sepse kanë në zemër sekretin e Mbretërisë së Hyjit:
“Kështu Jezusi u mësoi të rriturve se edhe ju jeni të mëdhenj e se ata duhet ta ruajnë madhështinë tuaj, dmth zemrën tuaj, që e do fort Zotin”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së dytë mbi kuptimin e vërtetë të fjalës dashuri, Papa i porositi të rinjtë të ruhen nga mesazhet e gabuara, që ua propozon shoqëria:
“Është e vërtetë: ju nuk mund e nuk duhet të pranoni një dashuri që përdoret si mall tregu, për t’u shitur pa pikë respekti për vetveten e për të tjerët, që ju bën të paaftë për të qenë e pastër. Kjo nuk është liri. Shumë nga “dashuritë”, propozuar prej mediave në internet, nuk janë dashuri, po egoizëm, ëndërr e çastit, që nuk ju bën të lumtur, nuk ju bën të mëdhenj, por ju lidh si vargua, që ju mbyt mendimet e ndjenjat më të bukura, rrahjet më të vërteta të zemrës, duke ju larguar nga dashuria e vërtetë, e cila gjen shprehjen e vet më të lartë në Jezu Krishtin, e në Shpirtin Shenjt gjen forcën e zjarrin, që i ndez jetët tuaja, mendimet tuaja, ndjenjat tuaja”.
Përgjigjja e tretë iu kushtua edukatorëve, të cilët Papa i porositi të impenjohen me të gjitha forcat për të mirën e të rinjve.
E, në çastin e ndarjes, Benedikti XVI iu përgjigj me dashuri entuziazmit të madh të të rinjve:
“Edhe unë jam plot me gëzim! E ndjej veten të rinuar. Ju falënderoj me gjithë zemër!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.