Një martir i ri, Silard Kostandin Bogdanfì, viktimë e diktaturës komuniste, shton
radhët e të Lumëve të Kishës katolike.
(31.10.2010 RV)Dje, në Oradea Mare të Rumanisë, kardinali Péter Erdë, kryeipeshkëv
i Eshtergom-Budapestit, kryesoi liturgjinë me Ritin e Lumnimit të martirit Silard
Kostandin Bogdanfì, ipeshkëv i Oradea Mares të latinëve, martir i diktaturës komuniste.
I pranishëm edhe kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e
shenjtorëve. I lumi i ri lindi më 12 shkurt 1911, në lokalitetin e Feketeto/Crna
Bara, asokohe dioqeza hungareze e Csanadit, aktualisht Dioqeza e Zrenjanit në Serbi,
nga prindër me profesion mësues. Familja u transferua disa herë, derisa zu vend në
Timishoara, ku Silardi kreu shkollën e mesme, duke ndjerë edhe thirrjen për rrugën
meshtarake. Vijoi, prandaj, studimet e filozofisë e të teologjisë e u shugurua meshtar.
Nisi misionin në famullinë, që sot pati fatin ta shikojë në nderimet e elterit, kushtuar
Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Më 14 shkurt 1949, kryeipeshkvi Gerald Patrik O’Hara,
nunc apostolik në Rumani, e shuguroi në fshehtësi ipeshkëv, në kapelën e nunciaturës,
në Bukuresht. E, duke e lyer me Bagmin Shenjt, i tha: “Vëlla, po të shuguroj për martirizim”. Kështu
titullohet edhe shkrimi, që i kushton Martirit të ri gazeta vatikanase ‘L’Osservatore
Romano”, shkruar nga kolegia e programit rumun të Radio Vatikanit, Anca Martinas: “Ishte
data 2 tetor 1953, kur ipeshkvi me origjinë hungareze, Silard Bogdanfì, vdiste si
martir në burgun komunist të Aiud, qytet rumun i Transilvanisë. Ishte vetëm 42 vjeç.
U varros në një gropë të panjohur, që nuk është gjetur ende e ka shumë mundësi të
mos gjindet kurrë më. Prandaj askush nuk mund të lutet mbi varrin e tij. E kjo, sepse
të vdekurit e burgut Aiud, ashtu si të burgjeve të tjera politike të regjimit, varroseshin
natën. Flakeshin në gropa të përbashkëta ose të veçanta, gjithnjë pa emër, nga të
cilat nuk mbetej asnjë gjurmë. Quhet ‘Rrëmaji i skllevërve” varreza ku e flakën trupin
e martirit. Këtu, pas shembjes së komunizmit, u ngrit një monument me emrin “Golgota
e Aiudit”. Në zemër të tij, lartohet një kryq vigan. Është kryqi i Krishtit. Mbështet
mbi një mori kryqesh të tjera: janë të martirëve, që e ndoqën, duke mbartur besnikërisht
kryqin e tyre, deri në dhurimin e gjakut për Zotin e kryqëzuar, e deri në nderimet
e elterit” Kjo histori dhimbjeje e feje, që u rijetua dje në Katedralen e Oradea
Mare, në Rumani, na kujton martirët e komunizmit në Shqipëri, të mbyturit në tortura
të tmerrshme, si ato që shkaktuan vdekjen e Ipeshkvit Silard Bogdanfì, meshtarët
e pavarr, njerëzit zemërbutë e të përvujtë, të gatshëm për t’u shërbeyer të gjithëve,
veç regjimit, sepse u kërkonte të tradhtonin Atë, të cilit i kishin kushtuar jetën:
Krishtin, e të adhuronin diktatorin. Për Kishën e Rumanisë, shkruhet në ‘L’Osservatore
Romano’, kjo është një ngjarje e madhe, sepse Silard Bogdanfì është i pari, ndërmjet
shumë ipeshkvijve e meshtarëve martirë, viktima të regjimit totalitar, që shpallet
i Lum.T’i lutemi të ndërmjetësojë për martirët shqiptarë, që t’i shikojmë sa më shpejt
në nderimet e elterit, sa janë ende gjallë ata që i njohën, që i deshën, që ndoqën
rrugën e tyre të besnikërisë, pa asnjë kompromis! Duke vijuar të paguajnë haraç për
qëndrimin e tyre heroik.