2010-10-30 10:22:35

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit ‘C’


(30.10.2010 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Përmes kremtimit të Liturgjisë Hyjnore në këtë të diele kremtojmë përdëllimin e Hyjit i cili i pranon të gjithë njerëzit në përqafimin e Tij Hyjnor, duke i përmbysur planet e atyre që ndërtojnë botën duke krijuar vetëm pengesa e mure ndarëse. Pra leximet biblike të kësaj së diele trajtojnë temën e përdëllimit duke shtjelluar mirësinë e botës, të Zotit, të Krishtit. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na flet për Jezusin që vazhdon të ecën edhe sot e kësaj dite nëpër rrugët tona duke pranuar e mbledhur të gjithë ata persona që e kërkojnë me zemër të sinqertë dhe kthehen tek Ai, sikur na mëson shembulli i Zakeut, për të cilit flet Ungjilli i së dielës (Lk 20,27-38).
Atë Ditë kur Jezusi u prit nga Zakeu në shtëpinë e tij, Mësuesi Hyjnor solli shpëtimin. Sikur Zakeu edhe ne jemi të thirrur nga Fjala e Zotit të kthehemi tek Hyji e ta pranojmë dashurinë e Tij, që mund ta ndryshojë mënyrën tonë të jetuarit e ti jap kuptim jetës. Zoti na shikon me sy të ndryshëm nga siç e shikojmë ne vetveten. Na shikon me mirësi e dashuri. Në Ungjillin e kësaj së diele Jezusi kërkon prej nesh kthimin në rrugën e vërtetë e të drejtë të Hyjit, na fton ta pranojmë dashurinë e Tij Hyjnore në të cilën mund të gjejmë udhën e lumturisë dhe vlerësimin e të mirave tokësore e të pasurive. Kthimi i krishterë nuk është një akt rituali por jetik, pse sjell përcaktimin për Zotin e për të afërmin, sjell një rilindje të re shpirtërore të jetës.
L 1. Ur 11, 22-12,2; L 2. 2 Sel 1, 11-2, 2; +Ungj. Lk 19, 1-10
Leximi i parë: (Ur 11, 22-12,2)
Lexim prej librit të Urtisë
Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur ne peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.
Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar sepse, po ta kishe krijuar. E si do të mbetet ne jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti ne jetë?
Por ti i kursen të gjitha sepse janë të tuat, o Zot jetë dashes, sepse shpirti yt i pa pritshëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye nga pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot .
Fjala e Zotit
Psalmi: 145 (144)
Ref: Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im!
Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
Dhe do ta bekoj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj
Dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës
--------------------------------------------------------------
Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij !
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua
dhe do ta shpallin pushtetin tënd .
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,
do t’i tregojnë mrekullitë e tua .
---------------------------------------------------------------
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme te tuat.
Do ta përhapin kujtimin i hirësisë sate të madhe ,
do t’i brohorisin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
I dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta .
--------------------------------------------------------
Leximi i dytë: (2 Sel 1, 11-2,2)
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër,
Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë,do të madhërohet në ju po edhe ju ne Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.
Në lidhje me Ardhjen Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjalë ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thuajse ja arriti Dita e Zotit!
Fjala e Zotit
Aleluja:
“Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos humbet, por ta ketë jetën e pasosur.”Aleluja:
+Ungjilli: (Lk 19, 1-10)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet. Dhe ja,një njëri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. Dëshironte të shihte kush është Jezusi,por nuk mundte prej popullit,sepse ishte me shtat i vogël. U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: ”Zake, zbrit shpejt! Sot do te vij të rri në shtëpinë tënde!”Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: “Ktheu të rrijë të një mëkatar”! Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:“ Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të pa drejtë, ia kthej katërfish!” Atëherë Jezusi tha: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! Po, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur”.
 
Fjala e Zotit

 
Këtu mund të dëgjoni programin tonë kushtuar Fjalës së Zotit.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.