2010-10-29 18:37:23

Një nga shkrimtarët më të mëdhenj modernë shqiptarë, me Pendë e me Rruzare!


(29.10.2010 RV)Objektet personale të shkrimtarit Martin Camaj, ardhur nga Gjermania, u ekspozuan këto ditë në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në Tiranë, bashkë me fotografi në familje e gjatë udhëtimeve të shumta. Ekspozita e pazakontë përkon me dhënien, më në fund, të Urdhrit "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi.
Këndi më tërheqës është ai i objekteve personale, që zonja Erika Camaj solli me vete në Tiranë nga Arkivi i Familjes në Gjermani: është një makinë shkrimi, një stilolaps e, objekti më i pazakontë për ekspozitat kushtuar shkrimtarëve shqiptarë, rruzarja me Kryqin e Krishtit të kryqëzuar. Katolikët e dinë se ky nuk është objekt muzeal, nuk përdoret për të stolisur ndonjë kënd studioje. Rruzarja tregon se shkrimtari, ndër më të mëdhenjtë modernë shqiptarë, e përdorte për t’u lutur. Se, duke iu kushtuar pendës, nuk e kishte harruar kurrë Rruzaren!
Do të duhej të zbrisnim më se një shekull në kohë, për të parë rruzaren e një shkrimtari tjetër gjenial: Atë Gjergj Fishtës. Në se nuk do të ishte përlarë nga dallgët e kohës. E Fishta jo vetëm e mbajti gjithnjë Rruzaren në brez, aty ku heronjtë e ‘Lahutës’ së tij kishin koburet e vezmet e fishekëve, por edhe e këndoi në varg Lajmin e madh të Engjëllit të Tënzot:
“... Kur qe, hapen dyert e qiellit
E nji Engell fletesh s-prarueme,
Tuj u djergë per rreze t’diellit
Kah kto zajet e shemtueme
Asaj Vashe ia behë në shpí
Edhe i thotë: “Falemi Mri!
Lajmi i Zotit me ty flet!” 1
E, po të zbrisnim edhe më thellë në shekujt e mugët të gjuhës e të letrave tona, kur pupla e rruzarja ishin dy objektet kryesore mbi shkritoret e një plejade të lumnueshme, që na la trashëgim fillesat e shkronjës shqipe, do të shikonim, pranë ndonjë rruzareje kokërrmadhe, puplën e Buzukut e, doemos, edhe puplën e argjendtë që gratë e Shkodrës i patën dhuruar Elena Gjikës me dorë të një burri tjetër me pendë e me rruzare, Atë Leonard De Martinos. Sa interesante do të ishte një ekspozitë me pendat e rruzaret e syzet e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe! Po të ishim një popull, që di t’i ruajë reliket e veta!
Natyrisht, ekspozita do të shkonte deri në vitin 1944. Askush nuk pret të shikojë në vitrinat e një ekspozite të tillë, rruzaret e shkrimtarëve të realizmit socialist. Madje as pendat! Ndoshta do të bënte perjashtim vetëm stilografi i çkatarruar i Lasgush Poradecit, me të cilin shkruante, i shtrirë në krevatin e tij, që i shërbente edhe si studio, natyrisht me gjyzylykët, që i zbrisnin në maje të hundës. E pranë pendës stilografike e syzeve, në vend të rruzares, mund të vendosnim ‘Shoqen e pandarë të ditëve të zymta”, Biblën e tij me kapakë blu, në gjuhën gjermane.
E, të mos harrojmë se përtej gardhit të hekurt ishte edhe Ernest Koliqi!
Argument për t’u trajtuar më gjërë ky, ndërsa ne po mjaftohemi të theksojmë se ekspozita u hap të martën e kaluar (26. 10. 2010) në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dekorimit të Martin Camajt me titullin "Nderi i Kombit". Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, që nuk pati kohë për ta vizituar ekspozitën, por lumturisht gjeti kohë për dekorimin, e nderoi Camajn me urdhrin "Nderi i Kombit" (pas vdekjes) me motivacionin: "Personalitetit të mirënjohur që dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në njohjen e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqipe".
Ne do të shtonim “shkrimtarit të shquar modern, me pendë e me Rruzare!”.
Ky titull i jepet shkrimtarit me rastin e 85-vjetorit të lindjes, një përvjetor që u kujtua me një konferencë shkencore nga Qendra e Studimeve Albanologjike, me botimin e veprës së plotë letrare në 10 vëllime nga Dega e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe me këtë ekspozitë me objekte personale e fotografi, hapur në Qendrën e Studimeve Albanologjike, duke mbyllur veprimtaritë për 85-vjetorin e ditëlindjes së Camajt.

1 Atë Gjergj Fishta, “Nuncjata”, Vallja e Parrizit, Shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta, Shkoder 1941, fq. 24-25







All the contents on this site are copyrighted ©.