2010-10-29 18:35:49

Imzot Çelata në Doha: “Feja, arsyeja e liria, shtylla të edukimit të të rinjve”.


(29.10.2010 RV)“Fetë, me propozimin e tyre edukativ, mund të japin një kontribut të ndjeshëm në përpjekjen për t’i ndihmuar breznitë e reja në njohjen e përvetësimin e vlerave, që e bëjnë më njerëzor si njeriun, marrë veçmas, ashtu edhe mbarë bashkësinë njerëzore”: këtë theksoi kryeipeshkvi Pier Luigji Çelata, sekretar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, duke folur këto ditë në Doha të Katarrit, gjatë punimeve të Konferencës së 8-të kushtuar dialogut ndërfetar, me temën e edukimit. Problemet, që u rrahën gjatë konferencës, kanë rëndësi të dorës së parë, sidomos për vendet ku bashkëjetojnë besimtarë të feve të ndryshme e ku feja mund të bëhet një nga forcat shtytëse në zhvillimin e shoqërisë, por edhe një nga burimet e kundërvënieve e të dhunës, që frenojnë klimën e bashkëjetesës, të pajtimit, të paqes e të vëllazërimit. Pa kujtuar këtu vlerat etike, për të cilat ka aq shumë nevojë shoqëria, si ndershmëria, solidariteti, aftësia për t’u flijuar për tjetrin e për mbarë shoqërinë, stili i përkorë i jetës e virtyte të tjera njerëzore, që ku më pak e ku më shumë, po zbehen, për t’i hapur rrugën egoizmit, materializmit, hedonizmit e, si pasojë, krizës së rëndë shpirtërore e materiale. E, nuk duhet harruar, gjithçka nis nga edukimi i rinisë!

Prelati u ndal sidomos tek e drejta e patjetërsueshme për edukim. Përgjegjësit e parë e kryesorë për edukimin e fëmijës, janë prindërit, pohoi prelati, pa harruar se edukimi i përshtatshëm i breznive të reja nuk mund të arrihet pa ndihmesën e gjithë shoqërisë. E kur flasim për shoqërinë, në radhë të parë kemi parasysh shtetin, por edhe institucionet e tjera shoqërore e fetare. Kisha katolike, vijoi imzot Çelata, siç e tregon gjithë tradita e saj, është e vetëdijshme për të drejtat, por edhe për detyrat që ka, kur është fjala për edukimin e bijve të saj, që jeta e tyre të përshkohet plotësisht nga shpirti i Jezu Krishtit; por njëkohësisht ajo i ofron veprimtarinë e vet mbarë popujve për promovimin e zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, ashtu si edhe për të mirën e mbarë shoqërisë e për ndërtimin e një bote më njerëzore.
Imzot Çelata foli edhe për kontekstin e sotëm kulturor, që sundohet nga individualizmi, relativizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi, teknicizmi, dhuna”, shoqëruar me fenomenin në rritje të shekullarizimit të kulturës e të shoqërisë. E kjo, jo vetëm në kuptimin e respektit për të gjitha shprehjet e aftësive racionale të njeriut, gjë që pranohet e urohet, por kryesisht në kuptimin e përjashtimit nga horizonti i individit dhe i shoqërisë, të emrit të Zotit, madje edhe të çdo gjëje që të kujton se, përveç natyrës, është edhe e mbinatyrshmja.
Por, theksoi prelati, veprimtarët kulturor e shoqëror vërejnë se, duke u hequr Zotin, njerëzit mbeten pa themele të shëndosha etike. E pa to, vështirë se mund të ndërtohet bashkëjetesa njerëzore. Prej këndej, vërehet edhe një vëmendje e re për përmasën fetare, si në jetën e njerëzve të veçantë, ashtu edhe në atë të shoqërisë. E kjo ka për qëllim të fuqizojë indin e shoqërisë, respektin ndaj ligjit, luftën kundër korrupsionit, karakteristik për njeriun që s’njeh Zot mbi vete, impenjimin për drejtësinë, solidaritetin e bashkëpunimin në luftën kundër dhunës terroristike.
Por, saktësoi prelati, propozimi i fesë, posaçërisht për të rinjtë, nuk mund e nuk duhet ta lërë mënjanë vlerën e pallogaritshme të arsyes, sepse është pikërisht arsyeja ajo, që i jep njeriut themelin racional për ta pranuar dhuratën e fesë. Traditat tona të ndryshme fetare, tha në përfundim sekretari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, janë të thirrura të marrin dritë e forcë nga gjithë trashëgimia e tyre, për t’i ndihmuar të rinjtë të hyjnë në shoqëri me përgjegjësi, me të gjitha aftësitë e tyre profetike. Impenjimi edukativ në ndihmë të të rinjve na ushqen guximin për ta shikuar ardhmërinë me shpresë të sigurt.







All the contents on this site are copyrighted ©.