2010-10-28 16:03:47

Puna kërkimore-shkencore të jetë vend dialogu dhe takim ndërmjet njeriut e Krijuesit të vet: kështu Papa Akademisë së Shkencave


(28.10.2010 RV)Shkenca të jetë gjithnjë në kërkim të së vërtetës: kjo është këshilla, që u dha sot paradite Benedikti XVI, pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore të Shkencave, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Papa vuri në dukje pikat e kontaktit ndërmjet fesë e shkencës dhe theksoi se Kisha është për atë përparim shkencor, që i sjell vërtet të mira njerëzimit. Ati i Shenjtë kujtoi me dashuri e mirënjohje fizikanin Nikola Kabibo, ish-president i Akademisë, që është ndarë nga kjo jetë kohët e fundit.


Nuk duhet të mendojmë se shkenca na i zgjidh të gjitha problemet, por as nuk duhet të kemi frikë prej saj, nënvizoi Papa, i cili u ndal në objektivin e saj të vërtetë, edhe në dritën e zhvillimeve të jashtëzakonshme të shekullit të fundit:
“Detyra e saj ishte e mbetet kërkimi plot durim e njëkohësisht plot pasion i së vërtetës, që ka të bëjë me gjithësinë, natyrën e me njeriun. Një punë kërkimore, që mund të ketë suksese dhe dështime. Zhvillimi mund të kalojë çaste ekzaltuese, kur zbulohen aspekte të ndërlikuara të natyrës, por edhe çaste përvuajtërie, kur teoritë, që mendohej se kishin shpjeguar disa fenomene, dalin vetëm të pjesshme”.
Papa ritheksoi vlerësimin e madh, që ka Kisha, për punonjësit shkencorë dhe shprehu mirënjohjen për të gjitha përpjekjet e tyre për t’u lidhur me filozofinë, për të zbuluar bazën logjike dhe epistemiologjike të metodologjisë së tyre:
“Nga ana e saj, Kisha është e bindur se në fund të fundit, aktiviteti shkencor përmirësohet nga njohja e përmasës shpirtërire të njeriut dhe kërkimit, që ai bën për të marrë përgjigjet mbi fatin e fundmë”.
Fjalë këto, të shoqëruara nga urimi e shpresa për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet fesë e shkencës:
“Shkencëtarët nuk e krijojnë botës. Përpiqen vetëm të imitojnë ligjet e natyrës. Përvoja e shkencëtarëve si njerëz është pra perceptimi i një ligji, të një ‘logos’-i. Kjo na òon në pranimin e ekzistencës së një Arsyeje të gjithpushtetshme, të ndryshme nga njeriu, që mban botën. Kjo është pika e takimit ndërmjet shkencave natyrore dhe fesë”.
Kështu, vazhdoi Papa, shkenca bëhet vend i dialogut, i takimit të njeriut me natyrën e potencialisht, edhe i takimit të njeriut me Krijuesin. Duke i hedhur një vështrim përvojës shkencore të shekullit XX, temë e Plenares së Akademisë, Papa reflektoi më tej mbi rezultatet, që duhet të kërkojë shkenca:
“Para së gjithash, meqë zhvillimi i madh shkencor e rrit habinë tonë për shumëllojshmërinë, që gjejmë në natyrë, ndihet gjithnjë e më tepër nevoja e një qasjeje ndërdisiplinore të lidhur me reflektimin filozofik, që të shkohet drejt një sinteze”.
Përveç kësaj, tha Benedikti XVI, përparimi shkencor duhet të ketë gjithnjë parasysh vlerat e vëllazërimit e të paqes, duke ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të mëdha të njerëzimit e duke drejtuar përpjekjet e secilit drejt së mirës së njeriut dhe drejt zhvillimit të gjithanshëm të popujve të botës. Në shekullin XXI, përfundoi Papa, përparimi do të quhet vërtet pozitiv, vetëm nëse shkencëtarët do të arrijnë t’i venë në jetë zbulimet e tyre, duke pasur parasysh ç’është e drejtë dhe e mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.