2010-10-28 15:18:28

Papa ipeshkvijve të Brazilit: mbroni jetën njerëzore, pa pasur frikë nga opinionet e kundërta


(28.10.2010 RV)RealAudioMP3 Sistemi shoqëror e politik, që nuk e mbron jetën e njeriut, bazohet mbi të drejta “të rreme, që krijojnë iluzione”. Të krishterët duhet ta përdorin votën e tyre në mbrojtje të së mirës së përbashkët. Këto ishin reflektimet e Papës në takimin e paradites së sotme, me ipeshkvijtë brazilianë në vizitë “ad Limina”. Benedikti XVI bëri thirrje për lirinë e mësimit të fesë katolike në shkollat shtetërore dhe për mbrojtjen e simboleve fetare në jetën publike.


E simboli, që shpreh më shumë se të gjithë shpirtin e vërtetë të Brazilit, është Krishti me krahët hapur, që dominon Gjirin e Guanabarës në Rio de Zhaneiro. Për Papën, feja e brazilianëve është shenjë shprese për të sotmen e të ardhmen e vendit, por të dyja, rrezikohen nga “hijet” e krijuara prej forcave, që përhapin vlera të papranueshme moralisht, duke cënuar natyrën e shenjtë të njeriut. Barinjtë e Kishës, nënvizoi Ati i Shenjtë, e kanë për detyrë ta ngrenë zërin, sidomos kur këto lloj vlerash kthehen në çështje politike e shndërrohen në ligje:
“Do të ishte iluzion i plotë dhe e rreme, çdo e drejtë njerëzore, politike, ekonomike dhe shoqërore, që nuk përfshin mbrojtjen energjike të së drejtës për jetën nga zënia në vdekjen e saj të natyrshme. Gjithnjë në kuadrin e përpjekjeve në favor të më të dobtëve e më të pambrojturve, kush është më i pambrojtur se një fëmijë, që nuk ka lindur ende, ose një i sëmurë në gjendje vegjetative, apo në prag të vdekjes?”
Ja përse, nguli këmbë me forcë Papa, Zoti duhet të ketë vendin e vet në sferën publike, në veçanti në fushën kulturore, shoqërore, ekonomike dhe sidomos në atë politike. T’u jepet hapësirë, këshilloi Benedikti XVI, laikëve të formuar me fe, për të dëshmuar në shoqëri impenjimin e tyre të krishterë. E kur është e nevojshme, vazhdoi Ati i Shenjtë:
“Barinjtë e Kishës duhet t’u kujtojnë të gjithë qytetarëve të drejtën, që është edhe detyrë, për të përdorur lirisht votën në promovimin e së mirës së përbashkët”.
Benedikti XVI bëri më pas një thirrje në favor të mësimit të fesë në shkollat shtetërore, duke theksuar se në ndryshim nga prirjet e tjera, vetëm respektimi, nxitja dhe kuptimi i natyrës trashendente të njeriut mundëson ndërtimin e një shoqërie të vërtetë:
“Kur projektet politike përmbajnë, haptas ose fshehtas, depenalizimin e abortit ose të eutanazisë, ideali demokratik – që është vërtet i tillë, kur njeh dhe mbron dinjitetin e çdo njeriu – tradhtohet që në bazë. Prandaj, të dashur vëllezër ipeshkvij, për të mbrojtur jetën nuk duhet të kemi frikë kundërshtimet dhe humbjen e popullaritetit, duke refuzuar çdo kompromis dhe dyfytyrësi, që do të na shndërronin sipas mentalitetit të kësaj bote”.
Benedikti XVI mbrojti më pas praninë e simboleve fetare në jetën publike. Këto shenja, përfundoi Papa, kanë vlerë të veçantë në Brazil, ku feja katolike është pjesë përbërëse e historisë së vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.