Kalendari kishtar përkujton sot Shën Simon Zelotin dhe Shën Judë Tadeun, apostuj e
martirë.
(28.10.2010 RV)Shën Simoni i ditës së sotme është i dyti me këtë emër ndër
dishepujt e Jezusit. I pari ishte Simoni, të cilit Jezusi vetë ia ndërroi emrin e
ia bëri “Çefa”, domethënë Pjetër. Ndërsa Simoni që përkujtojmë sot quhej ndryshe Kananitasi,
ose Zeloti. Emri i tij del në listat e apostujve, por Libri i Shenjtë nuk na jep ndonjë
hollësi mbi të. E kështu që nuk dihet asgjë e sigurtë në lidhje me këtë apostull.
Sipas traditës ka qenë misionar si gjithë apostujt e tjerë, madje disa janë të mendimit
se pati arritur deri në Angli për ungjillëzim dhe se më pas u martirizua nga Persët. Po
ashtu edhe Shën Juda Tade, nuk duhet ngatërruar me Judë Iskariotin i cili e tradhëtoi
Jezusin. Përkundrazi Shën Juda, i mbiquajtur “Tade” – nga fjala aramaike “Thad”, që
do të thotë i ëmbël, i mëshirshëm, i dashur, zemërgjerë, ishte vëllai i Jakut, apostullit
tjetër. Të dy këta ishin të bijtë e Alfeut dhe Marisë të Kleofës. Alfeu vetë ishte
vëllai i Shën Jozefit, prindit e kujdestarit të Jezu Krishtit. Kështu që Juda Tade
dhe Jaku mund të quhen kushërinj të Jezusit. Judën Tade e njohim nga pyetja që
i drejton Jezusit gjatë Darkës së Mbrame (Gjn, 14.24: “Zot, pse duhej që ti të na
shfaqeshe ne e jo të gjithë botës?”, por edhe nga letra e tij ku qorton nxitësit e
ngatërresave të cilët i quan “re pa shi që era i çon andej e këndej.” Sidoqoftë,
Shën Juda Tade, ndonëse nderohet pak, është një nga shenjtërit me fuqi të jashtëzakonshme,
dhe tradita e quan Pajtor të Pastrisë dhe të Çështjeve që duken të Pazgjidhshme. E
në fakt tradita nuk gabon sepse vetë Jezusi, kur iu shfaq në vegim Shën Brigjidës,
e cila gjendej në një hall të madh, i tha t’i drejtohej këtij Shenjti që të ndërhynte
për të. Shën Brigjida iu lut Shën Judës Tade dhe sakaq problemi që e mundonte u zgjidh.