2010-10-27 16:41:01

Në Irak, dënohet me vdekje Tarek Azizi: kundërshtojnë Selia e Shenjtë dhe Bashkimi Evropian


(27.10.2010 RV)Dje, Gjykata e Lartë penale e Bagdadit dënoi me varje ish-kryeministrin irakian në kohën e Sadam Hyseinit, Tarek Aziz. Nga shumë anë të botës janë ngritur zëra për të mos lejuar zbatimin e këtij vendimi.RealAudioMP3
“Qëndrimi i Kishës Katolike për dënimin me vdekje është i njohur – deklaroi, po dje, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Urojmë vërtet, që vendimi kundër Tarek Azizit të mos zbatohet, për të favorizuar edhe pajtimin e arritjen e paqes e të drejtësisë në Irak, pas vuajtjeve të mëdha të kaluara… Përsa i përket një ndërhyrjeje të mundshme humanitare – nënvizoi atë Lombardi – Selia e Shenjtë punon zakonisht jo publikisht, por përmes rrugëve diplomatike në dispozicion të saj”. Kundër ekzekutimit me vdekje janë shprehur edhe Bashkimi Evropian e Rusia, përveç ipeshkvijve irakianë. Të dëgjojmë Mario Maracitin, zëdhënës i Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila promovon pezullimin e dënimit me vdekje në nivel botëror:
Iraku ka nevojë ta ulë tonin e dhunës e të gjejë arsyet për arritjen e pajtimit kombëtar. Dënimi me vdekje i Tarek Azizit rrezikon të kthehet, pas kaq vitesh, në dënimin e protagonistit, mbi të cilin shkarkohen të gjitha fajet. Cilado qoftë akuza kundër Tarek Azizit, Iraku ka nevojë për më pak vdekje. Gjykata, që ka marrë vendimin, rrezikon ta largojë më tej Irakun nga rruga e ndjekur prej vendeve të tjera të botës, të cilat po përpiqen të çlirohen nga dënimi me vdekje.
Ky dënim i Tarek Azizit dhe i dy besnikëve të tjerë të regjimit të sjell në mendje ekzekutimin e Sadam Hyseinit në vitin 2006. Edhe atëherë bota u ngrit kundër vdekjes, por nuk ia arriti qëllimit. A ka më shumë shpresa sot?
Unë uroj që qeveria irakiane ta ndryshojë këtë vendim. Dimë se brenda qeverisë ka ministra, që nuk janë dakord për dënimin me vdekje. Unë vetë kam folur personalisht me mëse dhjetë drejtorë burgjesh irakiane, që nuk duan më vdekje. Mendoj se mund të hapet një rrugë e re, pikërisht duke mos e zbatuar këtë vendim, që as shton gjë, as e bën më të sigurtë vendin. Do të ishte një rast i mirë për t’i thënë botës dhe vetë Irakut: nuk duhet të vrasim askënd. Vërtet, duhet të punojmë për të mbrojtur jetën në çdo rrethanë e, shteti nuk mund të ulet në nivelin e vrasësve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.