2010-10-26 15:53:30

“Ëndërrova një botë pa kancer.” – promovohet libri që ilustron përparimet e fundit në luftën kundër kësaj sëmundjeje.


(26.10.2010 RV)U paraqit sot pasdite në Romë, libri “Ëndërrova një botë pa kancer” - i cili përmbledh të dhënat, zbulimet e përparimet më të fundit që janë arritur në fushën e luftës kundër kësaj sëmundjeje. Në mikrofonin tonë të dëgjojmë autorin, kryetar i Shoqatës italiane kundër leuçemive, Franko Mandeli:

Përgjigje: “Të ëndërrosh një botë pa kancer” nuk do të thotë se nuk do të ketë më kancer, por që tumoret e gjakut të jenë të mjekueshme, domethënë të ekzistojë mundësia që në shumicën dërrmuese të rasteve të gjendet një kurë që i bën të sëmurët të jetojnë normalisht.

Pyetje: Profesor, cilat janë përparimet që janë bërë këto vitet e fundit në diagnostikimin dhe në mjekimin e leuçemive?

Përgjigje: Unë kam filluar të kurojë leuçemitë akute tek fëmijët atëherë kur nuk shërohej askush. Sot, shërohen rreth 80% prej këtyre fëmijëve. Në libër janë përfshirë edhe disa histori që lidhen me fëmijët e parë që u shëruan, atëherë kur ne arrinim një përgjigje pozitive dhe vërenim se fëmija ishte mirë, por nuk shpresonim kurrë që të ishte shëruar plotësisht, ashtu sikurse në fakt ndodhi, më vonë.
Ja, kështu kanë ndryshuar gjërat edhe për shumë sëmundje të tjera. Për shembull përsa i përket linfomave, të cilat dikur mund të mjekoheshin vetëm në disa raste por që sot mund të shërohen në disa mënyra. Duhet të them se po punojmë mjaft për cilësinë e jetës të pacientit, duke u përpjekur, që nëse i sëmuri nuk shërohet atëherë, së paku ta bëjmë të jetojë me sëmundjen që ka, por pa pasur probleme të mëdha dhe duke bërë pra një jetë të zakonshme me sëmundjen që ka për disa dhjetëvjeçarë. Kjo nuk është ëndërr, por realitet, që tani madje.

Pyetje: Profesor, cili është synimi e këtij libri?

Përgjigje: Po, janë disa. I pari është sigurisht që të përpiqemi të mbledhim fonde nëpërmjet të drejtave të autorit dhe të gjitha të ardhurat t’i kalojnë “Shoqatës italiane kundër leuçemive”. Ka një listë nismash të kësaj shoqate, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe dy nisma krejt të jashtëzakonshme: e para lidhet me asistencën në shtëpi, pra, që i sëmuri të niset në shtëpi të vet dhe mos të mbahet i shtruar në spital, kur kjo gjë nuk është e nevojshme. E dyta, banesat për ata të sëmurë që jetojnë larg spitaleve, që këtyre t’u jepet mundësia të shtrohen falas. Ndoshta synimi kryesor është që pacientët mos ta ndiejnë më veten të braktisur.

Pyetje: Profesor, po, cilat janë sfidat e tanishme në kuadrin e kërkimeve shkencore në këtë fushë?

Përgjigje: Të kryhen kërkime klinike të pavarura, siç po bëjmë ne me një grup, që quhet “Gimema”, duke u vënë në dispozicion të Protokolleve të përbashkëta, të pavarur, pra, nga shtëpitë farmaceutike.







All the contents on this site are copyrighted ©.