2010-10-26 15:53:00

Meshë e kardinalit Anxhelo Komastri për 70-vjetorin e themelimit të universitetit kishtar LUMSA


(26.10.2010 RV)Kardinali Anxhelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Vatikanit, kryesoi sot paradite Meshën në elterin kryesor të Bazilikës së Shën Pjetrit, në mbyllje të kremtimeve për 70-vjetorin e Universitetit të Lirë të Zojës së Madhe:
“Ju uroj, që ky takim i rëndësishëm, të jetë një fillim i ri për të sjellë në ditët tona arsyet dhe entuziazmin e zanafillës”.
Prelati vuri në dukje se deri pak vite më parë, ishte shumë i përhapur opinioni se besimtarët, me përparimin e shoqërisë moderne, do të zhdukeshin me shpejtësi. “Paraardhësit tanë, shumë më injorantë se ne – shkruante psikoanalisti Zigmund Frojd në vitin 1927 – kanë besuar gjëra, që sot është e pamundur të pranohen”. Por modernizmi nuk mund ta errësojë Zotin:
“Paraardhësit injorantë e besimtarë, për të cilët flet Frojdi, janë Aleksandër Volta, Luis Pastër, Soren Kirkegard, Biaxho Paskal e akoma, Leonardo da Vinçi, Duns Skoti, Toma i Akuinit, Bernardi i Kiaravales, Augustini i Iponës e shumë të tjerë, me inteligjencë e kulturë të jashtëzakonshme. Te jesh me fe ose jo, në të vërtetë, nuk varet nga kultura, por nga zemra”.
Duke iu referuar Ungjillit të sotëm, kardinal Komastri kujtoi se Mbretëria e Zotit i ngjet farës së sinapit dhe tharmit në brumë:
“Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se Zoti nuk gjendet duke u ulur në kullën e krenarisë vetjake, por duke u përulur me përvujtëri për të gjetur gjurmët e Tij delikate dhe të heshtura në historinë tonë personale e në atë të njerëzimit”.
Prelati nënvizoi së fundi, se arsyeja e feja nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e duhet të përdorin përvujtërinë për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Kardinal Anxhelo Komastri përmendi në mbyllje, misionin e universitetit katolik LUMSA:
“Të dashur, misioni i universitetit tuaj është të bëhet për të gjithë, shembull i qëndrimit të çdo njeriu, që kërkon të vërtetën e të çdo personi, që e konsideron shkencën të hapur për diturinë. Qofshin për ju udhëheqje, këto fjalë të Paskalit: Është e nevojshme të shmangen dy ekstreme: të përjashtohet arsyeja dhe të pranohet vetëm arsyeja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.