2010-10-25 16:04:15

Në Engjëllin e Tënzot, Papa kujtoi Ditën misionare: të kumtosh Ungjillin nuk do të thotë ta revolucionarizosh botën, por ta shndërrosh atë, me forcën e Jezusit.


(25.10.2010 RV)“Gjithë njerëzit e pagëzuar janë të thirrur ta kumtojnë Lajmin e Mirë të shëlbimit”: këtë pohoi me forcë Papa në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar edhe Ditën misionare botërore, sivjet me moton: “Ndërtimi i bashkimit kishtar është çelësi i misionit”.RealAudioMP3

Dje, pas përfundimit të Meshës, me të cilën u mbyll Sinodi i Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, Papa kryesoi lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e studios së tij private. Dhjetra mijëra shtegtarë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke ecur në gjurmët e Papës Pali VI, Benedikti XVI kujtoi se Kisha, për vetë natyrën e saj, është misionare:
“Kisha ekziston për të ungjillëzuar, domethënë, për të predikuar e për të mësuar, për të qenë kanal i dhuratës së hirit, për të pajtuar mëkatarët me Zotin, për të përjetësuar flijimin e Krishtit në Meshën Shenjte, kujtim i vdekjes së tij dhe i ngjalljes së tij të lumnueshme”.
Në çdo kohë e në çdo vend, vijoi Papa, Kisha është e pranishme e punon për të mikpritur çdo njeri e për t’i ofruar, në Krishtin, përsosurinë e jetës. Prandaj i krishteri, nënvizoi Benedikti XVI, nuk e pret jetën e pasosur i mbyllur brenda vetes, me duar kryq, por jeton në bashkim me Krishtin, për të qenë në bashkim edhe me të tjerët e për t’ia çuar mbarë botës Ungjillin:
“Detyra misionare nuk kërkon ta revolucionarizosh botën, por ta shndërrosh atë, duke e thithur forcën nga Jezu Krishti, që na fton në sofrën e Fjalës së Tij e të Eukaristisë, për të shijuar dhuratën e Pranisë së tij, duke na formuar në shkollën e tij, për të jetuar gjithnjë më të bashkuar me Të, që është Mësues e Zot”.
Edhe të krishterët e sotëm, pohoi Papa duke cituar Letrën drejtuar “Diognetit”, dëshmojnë sa e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme është jeta e tyre në shoqëri:
E kalojnë jetën mbi tokë, por janë qytetarë të qiellit. U binden ligjeve të caktuara, por me mënyrën e tyre të jetesës, i kapërcejnë caqet e ligjeve... Dënohen me vdekje, e nga vdekja marrin jetë. Ndonëse bëjnë mirë, persekutohen, .. e megjithatë, numri i tyre rritet ditë për ditë”.
Benedikti XVI i ftoi të gjithë të luten për misionarët, të cilët shpesh e kryejnë misionin e tyre mes vështirësish të panumërta. Në përfundim ua besoi Virgjërës Mari, e cila nga Jezusi mori misionin e ri për të qenë Nënë e të gjithë atyre, që duan të besojnë në Zotin e duan edhe ta ndjekim në rrugën e tij të kryqit.

Pas Lutjes mariane Papa kujtoi se dje, në Verçeli, u shpall e Lume Motra Alfonsa Kleriçi, murgeshë e Kongregatës së Gjakut të Paçmuar të Jezu Krishtit të Monxës, e lindur në Lainate, pranë Milanos, në vitin 1860; vdekur në Verçeli, në vitin 1930. “Falënderojmë Zotin, tha, për këtë motër, së cilës Ai i priu në udhën e dashurisë së përsosur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.