2010-10-25 16:04:04

Drejt Sinodit 2012 për Ungjillëzimin e Ri. Imzot Fizikela: t’ia çojmë Krishtin njeriut të sotëm


(25.10.2010 RV)Akoma ishte pa përfunduar Sinodi për Lindjen e Mesme, kur Papa Benedikti XVI njoftoi, gjatë Meshës së djeshme, mbledhjen e një sinodi të ardhshëm, që do të zhvillohet në vitin 2012. Tema e tij do të jetë “ungjillëzimi i ri”, për të cilin, siç u shpreh Ati i Shenjtë, ndihet nevojë urgjente, sidomos në vendet e lashta të krishtera. Pyetëm presidentin e dikasterit të sapoformuar vatikanas për “Ungjillëzimin e Ri”, imzot Rino Fizikela, si e priti këtë lajm:RealAudioMP3
Me ndjesi të dyfishtë. Së pari, me habi e mrekullim të madh për rëndësinë, që i jep Papa kësaj teme, e cila bëhet gjithnjë e më e pranishme në papninë e tij. Së dyti, me gëzim të madh, pasi Papa jo vetëm që pak javë më parë themeloi Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri, por tani mendon edhe të përfshijë ipeshkvijtë e të gjithë botës në një sinod në vitin 2012. Sëbashku me këto ndjenja, është e pashmangshme edhe përgjegjësia e thellë. Ne sapo kemi lindur, ndërsa viti 2012 është pas derës. Pesha më e madhe do të mbahet pa dyshim nga sekretaria e Sinodit, por, pikërisht për natyrën e argumenteve që do të trajtohen, ky Këshill do të jetë në vijën e parë të frontit.
Sigurisht, do të kalojnë dy vjet para Sinodit, vite pune intensive për përgatitjen e tij. Ç’mund të thuhet që tani për fillin, që do të përshkojë reflektimet e tij?
Linjën e ka treguar Papa në Letrën apostolike “Ubicumque et semper”. E ka përsëritur edhe në ndërhyrje të ndryshme. Mendoj se ka disa pika themelore. Së pari, kërkesa e risimit të aftësisë së Kishës për t’ia përçuar Ungjillin njeriut të sotëm. Shpesh është thënë se njeriu i sotëm jeton në një lloj shkretëtire. Pse? Sepse duke u larguar nga Zoti, nuk gjen atë që kërkon, prandaj, mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete, pa qenë në gjendje t’u përgjigjet dëshirave të veta. Njeriu ka nevojë për Zotin! Edhe një herë, Papa e nxjerr në plan të parë këtë përmasë, që është qendra e jetës së tij. Benedikti XVI na ka thënë edhe si mund ta ndryshojmë këtë gjendje: duke mundësuar kuptimin e drejtë e të saktë të marrëdhënieve ndërmjet fesë e arsyes, në shoqërinë gjithnjë e më të shekullarizuar. Pra, njerëzit duhet ta kuptojnë se në ç’mënyrë arsyeja, koherente me vetveten, mund të arrijë në realizimin e objektivit të vet, që është e vërteta. E nga kjo e vërtetë nuk mund të përjashtohet prania e Zotit në jetën e secilit. Pra, kemi shumë elemente. E pashmangshme është tema e madhe e shekullarizimit, nga i cili nuk përjashtohet as Kisha. Shekullarizimi prek, pikë së pari, kulturën e që këtej, të gjitha përmasat e jetës së njeriut. Për këtë arsye, shekullarizimi duhet parë e studiuar me kujdes. Por tani, ka ardhur koha edhe t’i japim përgjigje pozitive.
Papa themeloi një Këshill të veçantë për ungjillëzimin e ri e tani po thërret edhe një sinod. Po vetë besimtarët, si mund të bëhen nxitës të këtij ungjillëzimi në familje e në punë? Për ta thënë me titullin e njëri prej librave tuaj: si mund të jetojmë si besimtarë?
Kjo do të dalë edhe nga vetë Sinodi. Përveç ipeshkvijve, do të jenë të pranishëm edhe shumë laikë e persona të shuguruar, që do të japin kontributin e tyre. Siç na mëson Koncili II i Vatikanit, janë laikët, që arrijnë në vende ku meshtarët nuk arrijnë, prandaj ata janë përgjegjës për shndërrimin e indit shoqëror, kulturor e politik. Por, duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët, të kapërcejmë gjendjen e copëzimit, në të cilën përjetohet kultura bashkohore. Mendoj se kjo është sfida më e madhe: si të kemi të njëjtën përmbajtje, të tillë që të shprehë, pavarësisht nga gjuha, traditat, ritet e disiplinat e ndryshme, qendrën e vetme të fesë sonë, fenë në Jezusin e vdekur e të ringjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.