2010-10-25 16:04:44

Atë Picabala: nga Sinodi, ndjehemi Kishë në një mënyrë të re.


(25.10.2010 RV)Për një bilanc të punimeve të Sinodit për Lindjen e Mesme, intervistuam atë Pierbatista Picabalën, rojtar i Tokës Shenjte.RealAudioMP3

Përgjigje: - Është bilanc pozitiv. Siç kam thënë gjithnjë, nuk bëhet fjalë për rezultate operative, por gjithsesi ishte një përvojë e bukur, e fuqishme e Kishës, që i pa të gjitha realitetet kishtare të Lindjes së Mesme, të mbledhura këtu, në Romë, me Pjetrin, në një atmosferë të përshtatshme për të shkëmbyer opinione, ide e sidomos, përvojën që i pasuroi të gjithë. Ndoshta nuk i zgjidhi të gjitha problemet, por sigurisht na dha një vizion shumë më të qartë të situatës, e edhe të perspektivave.

Pyetje: - Ju, françeskanët jeni rojtarë të viseve të shenjta, që lidhen ngushtë me praninë e Jezusit në Tokën e Shenjtë, vise të dashura për gjithë krishterimin. E kjo duhet t’ju shërbejë, simbolikisht, edhe si termometër, për të matur temperaturën e bashkimit ndërmjet Kishave, ndërmjet të krishterëve. Sa punë mbetet për t'u bërë, pas kontributit që dha ky Sinod?

Përgjigje: - Kemi ende shumë për të bërë. Pa mohuar sukseset, gjë që ka ndikuar në afrimin e shumë Kishave. Megjithatë, mbeten ende shumë dyshime, shumë paragjykime, shumë frikë. Në viset e shenjta e në Tokën e Shenjtë kjo perceptohet fuqimisht. Ndërmjet shumë problemeve, që u rrahën në Sinod, u dëgjuan me vëmendje edhe kërkesat e veçanta e konkrete të Kishave motra ortodokse; urojmë të jetë fillimi i një mënyre të re të të folurit, më e qetë e më e qartë.

Pyetje: - Besoni se ky Sinod inkurajoi edhe përmasën e dëshmisë?

Përgjigje: - Po, gjë që më pas, konkretisht, do të thotë si duhet ta jetojmë fenë e krishterë në realitetin tonë, ku jemi pakicë në krahasim me shumicën myslimane e hebraike në Izrael. Si dëshmohet feja? Mbi të gjitha, përmes një bashkimi më të fortë ndërmjet Kishave katolike, në harmoni më të madhe me Kishat ortodokse e, sidomos, me impenjimin në jetën publike të vendit, në mënyrë pozitive e konstruktive.

Pyetje: - Në qendër të vëmendjes së Etërve sinodalë, këto ditë, ishte edhe nevoja e thellimit të dialogut me dy fetë e tjera të mëdha monoteiste. Cili është, sipas jush, kontributi që dha Sinodi në këtë drejtim?

Përgjigje: - Ky sinod diskutoi gjatë për marrëdhëniet me të dyja fetë, sidomos me islamin e, për disa arsye, më pak me hebraizmin. Në disa vende kjo pervojë është dramatike, ndërsa në disa të tjera, më pozitive e në Sinod dolën problemet e të dyja situatave. E doli edhe ajo që vlen për t’u theksuar, qytetaria e plotë, të drejtat e plota, dëshira për të bashkëpunuar e për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë, projekti e vizioni i shoqërisë në Lindjen e Mesme. Besoj se ky Sinod do të kujtohet si një çast tejet i qartë, i fortë, i guximshëm; nuk pati frymë thjesht pozitive, larg kritikës, por as prirje për të kritikuar sa për sy e faqe. Ishte Sinod vërtet realist. Besoj se dialogu, kështu, do të bëhet më konkret.

Pyetje: - Megjithëqë Sinodi pati karakter baritor, nuk mund të mos flitej për konfliktin izraelito-palestinez e për pasojat e tij mbi jetën e të krishterëve në Tokën e Shenjtë. Sot zgjidhja e këtij konflikti kalon një fazë të re amullie. Cili është kontributi i të krishterëve?

Përgjigje: - Të krishterët nuk mund të japin kontribut operativ, konkret, të dukshëm, të prekshëm, të menjëhershëm. Të krishterët munden, përmes lidhjeve botërore, ta mbajnë gjallë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për problemin, i cili është real. Mund të dëshmojnë në jetë, ashtu si në territor, se nuk e kanë në mend të dorëzohen, se duan të shikojnë përpara, duke e parë gjithnjë ardhmërinë me sy pozitiv.

Pyetje: – A mund ta quajmë këtë Sinod një pikënisje....

Përgjigje: - Absolutisht po. Nuk është përfundim, por fillim i një përvoje të re. Pas tij, ndjehemi Kishë në një mënyrë të re, shumë më të bashkuar. Një nga dëshirat më të mëdha të të gjithë Etërve sinodalë është të vijojmë të takohemi e të flasim. E kjo dëshmon në ç’masë u ndje e sa e fortë ishte kjo nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.