2010-10-24 16:31:28

Shenjtorët e javës 24-31 tetor


Sot, e diel 24 tetor, Kisha kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, cikli i tretë. Po sot më 24 tetor kalendari  përkujton edhe Shën Antonin Maria Klaret, ipeshkëv e themelues I Kongregatës së Bijave të Zemrës së Papërlyer të Marisë.
Liturgjia e ditës na fton ta adhurojmë çdo ditë Zotin në banesën e tij të shenjtë, pa harruar se nuk mjaftojnë monumentet e krishtera, as turmat, për të thënë të vërtetën e fesë së krishterë. Duhet ta lavdërojmë Zotin me gjithë jetën tonë.

Nesër e hënë 25 tetor, sipas kalendarit Kishtar bie përkujtimi i shenjtorëve Krispini e Krispiniani, Kristani e Darja, martirë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.

Të martën e ardhshme më 26 tetor, bie përkujtimi i shën Dhimitrit, martir. Liturgjia e ditës na fton t’i kërkojmë Zotit gjënë më të çmuar: Fenë e vërtetë që shëlbon.

Të mërkurën më 26 tetor, kalendari do të përkujtojë shën Evaristin, papë e shën Frumencin, ipeshkëv e apostull i Etiopisë. Në festën e tyre jehon rishtas fjala e re që u dëgjua për herë të parë në sinagogën e Kafarnaumit, fjalë që e trandë dhe e çliron ndërgjegjen, fjala e Krishtit, Zotërisë së Kishës.
Të enjten më 28 tetor kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Simeoni e Juda, apostuj. Na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.

Të premten që vjen më 29 tetor, do të përkujtohen Shën Feliçiani, martir i Kartagjenës dhe Shën Ermelinda. Liturgjia e kremtimit të tyre na kujton se Jezusi, me mrekullitë e tij, vë në dukje sa brishtësinë njerëzore, aq dhe lajmin e mirë se ka ardhur për të na bërë të lirë e të fortë. Me fjalët e tij Krishti i çjerr maskën hipokritëve, që shkojnë nga fryn era e pas interesave vetjake, tepër larg vullnetit të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.

Liturgjia e së shtunës më 30 tetor, kur do të përkujtohet Shën Gjermani, ipeshkëv i Kapuas, na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
 
Të dielën e ardhshme më 31 tetor, Kisha kremton të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar e po më 31 tetor kalendari përkujton edhe shën Rodriguezin, rregulltar jezuit dhe shën Alfonsin (emri i të cilit në gjuhën shqipe ka marrë trajtat Ukë e Ukshin). Liturgjia na kujton se Hyji është këngë e shpëtim për ata që i besojnë me gjithë zemër. E vetëm Zoti mund të na e thotë kush shëlbohet e kush jo! Ne mundemi vetëm të përpiqemi për t’u shëlbuar, duke e lënë Zotin të na prijë me fjalën e tij. Në se do të jetojmë ashtu si na mëson Ai, sigurisht do të hyjmë edhe në mbretërinë e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.