Papa në përfundim të Sinodit: paqe e liri fetare në Lindjen e Mesme. Ungjillëzimi
i ri, temë e asamblesë sinodale më 2012.
(24.10.2010 RV)Nuk duhet të heqim kurrë dorë nga paqja. Edhe kur na duket e
largët. Paqja është e mundur! Është urgjente! Këtë thirrje të fuqishme bëri sot paradite
Benedikti XVI gjatë Meshës përfundimtare të Sinodit të posaçëm për Lindjen e Mesme,
kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e Etërve sinodalë. Gjatë homelisë, Ati
i Shenjtë ripohoi se është e nevojshme të garantohet liria e vërtetë fetare, si dhe
liria e ndërgjegjes, pa harruar vijimin e rrugës ekumenike e të dialogut me islamin.
Më pas Ati i Shenjtë njoftoi se Sinodi, që do të mblidhet më 2012, do t’i kushtohet
ungjillëzimit të ri. Ungjilli u lexua në latinisht e në greqisht, ndërsa besimtarët
u lutën kryesisht për shembjen e mureve të paragjykimeve dhe të armiqësisë e për
mbështetjen e të persekutuarve për shkak të Ungjillit: “Nuk duhet
të heqim dorë kurrë nga paqja, edhe kur na mungon. Paqja është e mundur. Paqja është
urgjente!”. Me këto fjalë Benedikti XVI përmblodhi shpresat, që u ngjallën
nga Sinodi për Lindjen e Mesme. Ishte Sinod, që iu kushtua bashkimit me Jezusin dhe
dëshmisë së dashurisë së Tij, kujtoi Papa, në të cilin ipeshkvijtë ndanë bashkë gëzimet
e dhimbjet, shqetësimet e shpresat e të krishterëve të Lindjes së Mesme. Ata Papa
i kujtoi vazhdimisht në reflektimet kushtuar punimeve të Asamblesë: “Mendja
të shkon tek vëllezërit e motrat, që jetojnë në zonën e Lindjes së Mesme e që përballojnë
situata tejet të vështira, nganjëherë të padurueshme, si për shkak të mungesave materiale,
ashtu edhe për shkak se shpesh i lëshon zemra, i lodh gjendja e vazhdueshme e tensionit,
i tmerron frika nga nesërmja. Fjala e Zotit sot na ndez edhe një dritë ngushëlluese
shprese, atje ku i lartohet lutja”. Lidhja ndërmjet lutjes e drejtësisë
bëhet, atëherë, themelore, vijoi Papa, sepse britma e të varfërit dhe e të shtypurit
arrin menjëherë para fronit të vetë Zotit, i cili dëshiron të ndërhyjë, për t’i kthyer
të shtypurve ardhmërinë e lirë, horizontin plot me shpresë. Më pas Benedikti XVI
numroi sfidat e Kishës katolike në Lindjen e Mesme. E para është ajo e bashkimit
të saj, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, që duhet të vijojë me bindje të thellë,
duke i nxitur edhe besimtarët ta ndjejnë fort bashkimin me Kishën universale: “Kemi
nevojë për përvujtëri, për t’i njohur kufizimet tona, gabimet tona e lëshimet tona,
sepse vetëm kështu mund të formojmë vërtet një zemër të vetme e një shpirt të vetëm.
Bashkimi më i plotë i brendshëm i Kishës katolike favorizon edhe dialogun ekumenik
me Kishat e me Bashkësitë e tjera kishtare”. Sfida e dytë lidhet me praninë
e të krishterëve në Lindjen e Mesme: është e vërtetë, kujton Papa, se janë të pakët
në numër, por nuk duhet harruar se mbartin Lajmin e Mirë të dashurisë së Zotit për
njeriun, mbartin Fjalën e shëlbimit: “Kjo fjalë shëlbimi (...) është e vetmja
që mund ta copëtojë rrethin vicioz të hakmarrjes, të urrejtjes, të dhunës. Nga një
zemër e pastruar, në paqe me Zotin e me të afërmim, mund të lindin propozime e nisma
në shërbim të paqes, në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar. Në një veprimtari të
tillë, për realizmin e së cilës është e thirrur mbarë bashkësia ndërkombëtare, të
krishterët, qytetarë me titull të plotë, mund e duhet të japin kontributin e tyre,
me frymën e lumturive, duke u bërë ndërtues të paqes e apostuj të pajtimit, në dobi
të mbarë shoqërisë”. Prej shumë kohe, nënvizoi Benedikti XVI, në Lindjen
e Mesme vijojnë pa ndërprerje konfliktet, luftërat, dhuna, terrorizmi. Paqja, dhanti
e Zotit, është edhe rezultat i përpjekjeve kolektive: njerëzve vullnetmirë, institucioneve
kombëtare e ndërkombëtare, sepse nuk duhet të heqim kurrë dorë nga paqja, edhe e
sidomos, kur na mungon. Paqja është e mundur! Është urgjente: “Paqja është
kusht i domosdoshëm për jetën e denjë të njeriut e të shoqërisë. Paqja është edhe
ilaçi më i mirë për të shmangur emigracionin nga Lindja e Mesme (...): të lutemi për
paqen në Tokën e Shenjtë. Të lutemi për paqen në Lindjen e Mesme, duke u impenjuar
që kjo dhanti, të cilën Hyji ua bëri njerëzve vullnetmirë, të përhapet në mbarë botën”. Sfida
e tretë e Kishës katolike në Lindjen e Mesme, theksoi akoma Papa, është promovimi
i lirisë së vërtetë të fesë e të ndërgjegjes, shpesh tejet e kufizuar, ndërsa është
e drejtë themelore e njeriut, prandaj çdo shtet është i thirrur ta respektojë, ashtu
si duhet të respektojë kontributin që i japin të krishterët mbarë shoqërisë: “Zgjërimi
i kësaj hapësire të lirisë bëhet kërkesë e domosdoshme, për t’u garantuar të gjithë
atyre, që u përkasin bashkësive të ndryshme fetare, mundësinë të jetojnë e ta praktikojnë
fenë e tyre në liri të plotë. Ky argument, urgjenca dhe nevoja e të cilit u ripohua
me forcë nga Etërit sinodalë, mund të bëhet objekt i dialogut ndërmjet të krishterëve
e myslimanëve”. Përveç kësaj, për t’iu përgjigjur nevojave të tjera të
ngutshme të Lindjes së Mesme, e jo vetëm, Benedikti XVI njoftoi se Asambleja e ardhshme
e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve , do t’i kushtohet Ungjillëzimit: “Vendosa
t’ia kushtoj Asamblenë e ardhshme të përgjithshme të zakonshme, më 2012, temës: “Nova
evangelizatio ad christianam fidem tradendam”, “Ungjillëzimi i ri për transmetimin
e fesë së krishterë”. Së fundi Papa i siguroi besimtarët e Lindjes së Mesme:
“Nuk jeni kurrë vetëm, Selia e Shenjtë e mbarë Kisha ju shoqërojnë në çdo hap. Janë
me ju!