2010-10-24 16:32:00

Faqe të pasura me argumente dhe me dashuri: koment për letrën e Papës drejtuar seminaristëve


Kush dëshiron të bëhet meshtar duhet të jetë, para së gjithash, njeri i Zotit. Hyji nuk është ndonjë hipotezë e largët, nuk është i panjohuri, i cili është tërhequr në skutën e vet pas “big bang”-ut. Kjo është një nga pjesët më të rëndësishme të letrës, që Papa Benedikti XVI u drejtoi javën e kaluar seminaristëve të mbarë botës. Ati i Shenjtë preku sërish temën e shpërdorimeve seksuale në Kishë, duke theksuar se pavarësisht nga kjo, misioni meshtarak mbetet i madh dhe i pastër. I kërkuam një koment për këtë letër rektorit të Seminarit të Madh Papnor të Romës, imzot Xhovani Tani: RealAudioMP3
Letra më bëri një surprizë të bukur. Surprizë për faktin se është shkruar e pastaj, edhe për mënyrën si është shkruar, për ngrohtësinë me të cilën Papa u drejtohet seminaristëve e për mendimin që shpreh, duke prekur pika të rëndësishme të formimit.
Papa shkruan se meshtaria nuk është “profesion” i së kaluarës, por i së tashmes dhe i së ardhmes. Si i përgatisni seminaristët për shoqërinë bashkëkohore, e cila i është larguar disi Kishës…
Mendoj se linja kryesore është t’u japim atyre të kuptojnë të vërtetën e fesë dhe bukurinë e takimit me Krishtin, si element përbërës i rëndësishëm i përvojës personale. Vetëm kështu arrijnë t’ua propozojnë Jezusin të tjerëve.
Gjatë kohëve të fundit, nëpër seminare besoj se është folur mbi temën e shpërdorimeve seksuale të klerit. Cila është përvoja juaj në Seminarin e Madh të Romës?
Nga njëra anë, përvojë e dhimbshme natyrisht, për ç’na dëgjonin veshët, por nga ana tjetër, edhe përgjegjësi: e kuptojmë se rruga e formimit duhet të jetë serioze. Kemi bërë disa takime me ekspertë, me persona, të cilët na e kanë paraqitur problemin në aspekte të ndryshme, në mënyrë që të jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk duhet ta injorojmë çështjen.
Çdo i ri është bir i epokës së vet e kjo e jona e bën veshin e shurdhër kur flitet për moralin. Si u mësoni seminaristëve vlerën e celibatit, të cilën Papa e thekson edhe në letër?
Linja e përvijuar nga Papa është ajo që ndjekim edhe ne. Pra, celibati, seksualiteti, nuk duhet të trajtohen si diçka jashtë personit. Krejt bota e dashurisë, e pasionit duhet të realizohet si objektiv, në takimin me Krishtin. Atëherë, të përpiqemi ta bëjmë jetën shpirtërore veçanërisht intensive. Askush s’mund të thotë: unë e kam vendosur kështu. Ose: ma kërkon Kisha e atëherë jam dakord. Duhet punë, që secili ta kuptojë mirë se ç’ka brenda si energji seksuale e dashurore e të arrijë t’i japë drejtimin e mbarë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.