2010-10-24 16:31:48

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Përse shenjtorët?”


Të dielën e kaluar, Papa Benedikti XVI, me një meshë solemne në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ngriti në nderimet e elterit gjashtë shenjtorë të rinj. Këtij argumenti ia kushton editorialin e sotëm drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë: RealAudioMP3
“Kanonizimet e 17 tetorit qenë pak të veçanta. Sidomos dy ndër gjashtë shenjtorët e rinj zgjuan një interes të veçantë në vendet e tyre. Flasim për Meri MekKilop dhe për fratel André Beset. Shenjtorët e tjerë ishin italianë, spanjollë, polakë… e megjithëse të jashtëzakonshëm, nuk ishin ndonjë e re absolute. Por Australia akoma nuk kishte një shenjtore të vetën e edhe Kanadaja, deri tani, nuk ishte shumë e familjarizuar me kanonizimet.
Grupe me mijëra shtegtarë bënë udhëtime të gjata e të kushtueshme për të qenë të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit; shumë gazetarë e trupa televizive erdhën në Romë për të shkruar artikuj, për të bërë reportazhe, intervista, emisione të drejtpërdrejta për ceremoninë e festime të tjera. Zakonisht, mediat lëvizin kur e kuptojnë se ka një interes të madh e të përhapur për argumentin.
Kisha i propozon solemnisht shenjtorët si shembuj të jetës së krishterë, por e bën këtë duke njohur botërisht, atë që populli e ka kuptuar prej kohësh: disa njerëz e mishërojnë Ungjillin në mënyrë të jashtëzakonshme e, kështu, për ata që i takojnë, bëhen miq shpirtërorë, udhëheqës magjepsës për të arritur tek dashuria e Zotit, tek feja, tek shpresa.
Kanonizimet janë pranimi se Shpirti i Zotit fryn mbi njerëzit e thjeshtë, si Mari e fratel André, e prodhon fryte virtyti, që janë burim ngushëllimi e drite për shumë e shumë të tjerë. Kanonizimi është vërtet festë.
Disa shenjtorë shpallen solemnisht; pjesa më e madhe nuk bëhen të famshëm kudo, por njëlloj, përhapin rreth vetes fenë, shpresën e dashurinë.
Kjo është pamja më e bukur e Kishës. Në Kishë, gjithçka është në shërbim të burrave e grave të çdo vendi e lloji, që të ecin drejt Zotit nëpër rrugët e shenjtërimit të jetës. Të mësohemi ta shohim Kishën në këtë perspektivë e ta rinovojmë gjithnjë, duke filluar nga vetvetja”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.