2010-10-23 14:39:31

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 30-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na thërret të jemi të përvujtë e të kemi besim në Hyjin. Fjala e Zotit na siguron se Hyji e pranon lutjen e të përvujtët e të skamnorit. E kështu edhe në këtë diele leximet biblike na ftojnë të vazhdojmë meditimin mbi lutjen e krishterë. Këndej nuk duhet të befasohemi nga ky insistim duke ditur mirë se lutja është thelbi e shpirti i ekzistencës kristiane. Pjesa më e madhe e 30 miliardë qelizash që përbëjnë trupin tonë dëmtohen e përtërihen në një hark kohor prej tri vjetësh.
Le të mendojmë në madhësinë e përjetimeve që mbledhim çdo vit në brendësi të ndërgjegjes sonë. E megjithëkëtë, shpesh herë këtij evolucioni, që na bën të ndryshëm duke mbetur e na lënë përherë të njëjtë në veten tonë, nuk na shoqëron një pasuri paralele e jetës sonë shpirtërore. Sot pra është i nevojshëm të behët një bilanc i stilit, i mënyrës dhe i pasurisë së lutjes sonë personale për të shmangur që ajo të mbetët ende e ndalur në nivelin “foshnjor” apo primitiv e të mos rritet e pjekët bashkë me ne. Lutja duhet ta shpik e ti japë kuptim ekzistencës sonë. Pra lutja është e domosdoshme për ti dhënë kuptim, shije e orientim jetës. Lutja duhet ta fekondoj e shndërrojë jetën të tërë sipas planit e vullnetit të Zotit.
Liturgjia e Fjalës :
Sir 35,12-14. 16-18; 2 Tim 4, 6-8. 16-18; Ungjilli. Lk 18, 9-14
Leximi i parë: (Sir 35, 12-14. 16-18)
Lexim prej librit të Siracidit
Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate, sepse Zoti s’lë pa shpërblyer, madje shtatëfish aq Ai do të kthejë. Mos u mundo ta thyesh me dhurata, sepse nuk do t’i pranojë assesi; nuk ia mban kujt krahun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon uratën e të nëpërkëmburit. Nuk e përbuz uratën e bonjakut as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet. Vallë, a nuk zbresin lotët e vejushës nëpër faqe, a nuk bie britma e saj mbi atë që i shkaktoi? Fjala e Zotit
Psalmi: 34 (33)
Ref. Dëgjoni, o të përvuajtur, e gëzohuni në Zotin. ---------------------------------------------------------------
Përherë do ta bekoj Zotin,
Në gojën time përherë është lavdia e tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
Le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
----------------------------------------------------------------
fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
----------------------------------------------------------------
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,
i shpëton shpirtkëputurit.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,
Nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
Leximi i dytë: (2 Tim 4, 6-8. 16-18)
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë, dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.
Në mbrojtjen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua; të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i ungjillit të kuptohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtoi nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vetë qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen! Fjala e Zotit
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, Që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. Aleluja!
+Ungjilli: (Lk 18, 9-14)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi e tregoi këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose – si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse. Kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”
Fjala e Zotit
Këtu mund të dëgjoni programin tonë kushtuar Fjalës së Zotit......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.