(23.10.2010 RV)Dita e 23 tetorit të vitit 1871 ishte një ditë e zakonshme në historinë
e Shqipërisë së pushtuar nga turku. Asnjë kronikë e kohës nuk shënoi se në një shtëpi
të thjeshtë, në Fishtë të Zadrimës, Ndoka i Simon Ndocit ‘ishte shtue me djalë. Kishte
lé Zekë Ndoci!’. Duke e ndërruar këtë emër me emrin e pavdekshëm Gjergj, në kujtim
të Heroit Kombëtar e katundarin e vogël fishtjan, në Poet Kombëtar, ai do ta kujtonte
kështu daljen e vet në dritë: “Unë jam Gjergj Fishta, djali i vogël i Ndokës, të cilin
nana e ka ba me të mendueme!” – thua se s’kishte dalë prej barkut të Prendës së Lazër
Kaçit por, si çmos kush, prej trunit të saj. Po kush është Atë Gjergj Fishta? Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë
të shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), i cili më
shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit
të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si
'poet kombëtar i Shqipërisë' dhe 'Homeri shqiptar', Fishta do të binte menjëherë në
harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit
ishte e ndaluar për shqiptarët. E kjo zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë. Kush
ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin 'poet kombëtar' edhe gjysmë shekulli
më vonë? Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u
pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi
shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari
De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij djali
të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë
vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë meshtar, si shumë djem
të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe
Kreshevo, Gjergji i ri studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht,
italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për Kishën e për Kombin. Gjatë
qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905)
dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (1865-1908), të cilët i zgjuan talentin
letrar e me të cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua meshtar. Me t'u
kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan
në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me Preng
Doçin (1846-1917), abatin e Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951)
dhe me historianin Atë Pashko Bardhi (1870-1948) me të cilët themeloi shoqërinë letrare
Bashkimi të Shkodrës, që i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit
të shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore
në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908, edhe sot e kësaj
dite, fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse
e jetës kulturore e publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër. Më 1902
Atë Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku shqipja
nisi të përdorej, për herë të parë, si gjuhë bazë. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë
në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres,
ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë
saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër,
ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë
delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.
Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete:
një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe
pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri
latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja
e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme. Në tetor 1913, gati një vit pas
shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen
françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe
historisë. Me përjashtim të viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe viteve
menjëherë pas saj, 1915-1920 si dhe të viteve të hershme të diktaturës së Ahmet Zogut,
1925-1929, kjo revistë me ndikim të fuqishëm e me nivel të lartë letrar doli rregullisht
deri në korrik 1944 dhe ndihmoi për zhvillimin e kulturës gege të veriut. Nga 5
dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës,
një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it,
me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave
të tij kombëtare. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën
(1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë
Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm
August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit
zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën
shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej dialekti i Elbasanit si një
kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat
e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta
shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare
për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si udhërrëfyese për
italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim e të drejtojë
shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) nga
viti 1921, i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut.
Tani ai ishte figura më autoritare në letërsinë shqiptare.
Në gusht 1919 Gjergj
Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar, që mori pjesë në Konferencën
e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot
Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej
në Shtetet e Bashkuara për t'u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje
ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën
në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij.
Talenti në gojtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos,
si klerik.
Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë
(1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për
t'ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935
deri më 1938 u zgjodh provincial i Provincës françeskane të Zojës Nunciatë. Këto vite,
më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit
në Shkodër, por pa u shkëputur kurrë nga problemet e mëdha qytetase, kombëtare e botërore.
Si
poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm,
brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar
nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks
nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri
françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe
Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Ndonëse Gjergj Fishta
është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur
në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e malcís’, Shkodër 1937, por jo më
pak edhe me Anzat e Parnasit, vepër satirike, ende e pastudiuar si duhet, që e larton
në majat e satirës botërore. Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje
që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë
së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet
viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është
e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.
Botimi përfundimtar
i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-të të shpalljes
së pavarësisë së Shqipërisë. ‘Lahuta e malcís’ dhe veprat e tjera të Atë Gjergj Fishtës
u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët erdhën në pushtet. Poema madhore
epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990, rishtas në Romë më 1991, është
përkthyer në gjermanisht (Maksimilian Lamberc), italisht (Imzot Jul Bonati, Ernest
Koliqi), e së fundi, edhe në anglisht (Robert Elsie).