Papa ambasadorëve të Portugalisë, Sllovenisë dhe Ekuadorit: Kisha nuk mund të jetë
asnjanëse, kur bëhet fjalë për të mbrojtur vlerat e aspiratat e njeriut.
(22.10.2010 RV)Ndihmesa e fesë për zhvillimin e shoqërisë, mbrojtja e jetës
dhe e familjes, rëndësia që kanë rrënjët e krishtera të Evropës: ishin këto temat
kryesore, që preku sot paradite Papa në audiencat me tre ambasadorë të rinj pranë
Selisë së Shenjtë: atë të Sllovenisë, të Portugalisë e të Ekuadorit, të cilët i priti
për paraqitjen e Letrave kredenciale. Benedikti XVI nënvizoi rishtas se Kisha nuk
ka aspirata politike, por është e thirrur t’i shërbejë së mirë së përbashkët.
Në
fjalën drejtuar ambasadorit të Ekuadorit, Luis Dositeo Latorre Tapia, Papa
kujtoi vizitën në këtë vend, në vitin 1978, duke vënë, më pas, theksin, mbi rolin
që luan feja katolike në zhvillimin e njeriut e të shoqërisë. E mira e përbashkët,
vijoi Shenjtëria e Tij, duhet vënë gjithnjë mbi interesat e partisë e të klasës, si
imperativ moral e pikë referimi për të gjithë qytetarët. Pa harruar se nuk mund të
ketë pasuri të përbashkët universale, pa pasurinë shpirtërore e morale të njerëzve.
Historia, vërejti Benedikti XVI, na mëson se mosnjohja e së vërtetës mbi njeriun,
krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, bëhet shpesh burim i padrejtësive dhe i totalitarizmave.
Ambasadorit
të ri portugez, Manuel Tomás Fernandes Pereira, Ati i Shenjtë i kujtoi vizitën
e tij apostolike në Portugali, majin e kaluar, për të ripohuar, më pas, se Selia e
Shenjtë do të vijojë gjithnjë impenjimin e saj në shërbim të përparimit të gjithanshëm
të njeriut e të popujve. Benedikti XVI theksoi në mënyrë të veçantë, se vështirësitë
ekonomike nuk mund të kapërcehen, në se nuk vihen në plan të parë vlerat morale e
shpirtërore. Kur Kisha punon me vetëdije për mbrojtjen e këtyre vlerave, kujtoi në
vijim Papa, nuk e bën këtë për ambicie politike, por për t’i qëndruar besnike misionit,
që ia besoi Themeluesi i saj hyjnor. Duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, Benedikti
XVI nënvizoi se Kisha, falë misionit e natyrës së saj, nuk lidhet me asnjë formë
të veçantë kulture njerëzore, sistemi politik, ekonomik ose shoqëror. Është pikërisht
ky universalitet, që e mundëson të krijojë lidhje të ngushta ndërmjet bashkësive e
kombeve të ndryshme, në se ato kanë besim në të dhe i sigurojnë lirinë e nevojshme
për kryerjen e misionit të saj. E misioni i Kishës është shndërrimi i zemrave, inkurajimi
i të krishterëve për t’i pranuar plotësisht përgjegjësitë e tyre si qytetarë, gjithnjë
në shërbim të së mirës së përbashkët.
Me ambasadoren e Sllovenisë, Maja
Maria Lovrençiç Svetek, Papa foli kryesisht për integrimin e kombit slloven në
Bashkimin Evropian, duke theksuar se rrënjët e krishtera luajtën një rol të dorës
së parë për bashkimin e Sllovenisë. Kjo trashëgimi, vijoi të kujtojë Benedikti XVI,
u bë tharm ngushëllimi e shprese edhe në çastet më të vështira e më të dhimbshme të
historisë, duke e ndihmuar Slloveninë të ecë e sigurtë në rrugën drejt pavarësisë,
pas shembjes së regjimit komunist, periudhë gjatë së cilës Selia e Shenjtë i qëndroi
shumë pranë popullit slloven. Papa shprehu kënaqësinë për ligjin e miratuar kohët
e fundit në ndihmë të njerëzve, që kanë humbur shtëpinë e punën dhe ripohoi impenjimin
e Selisë Apostolike në mbrojtje të paqes e të drejtësisë, të kapërcimit të mosmarrëveshjeve
e të thellimit të marrëdhënieve ndërtuese.