2010-10-22 17:35:08

Në Sinodin për Lindjen e Mesme, që do të përfundojë të dielën, theksohet vlera e pazëvendësueshme e Shkrimit të Shenjtë.


(22.10.2010 RV)Sinodi i ipeshkvijve, kushtuar Lindjes së Mesme, do të përfundojë të dielën, me Kapelën Papnore, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Po jehona e kësaj ngjarjeje të madhe për Kishën universale, do të vijojë për shumë kohë, sidomos në ato vise, ku lindi Princi i Paqes, por ku nuk ka paqe.
Gjatë gjithë zhvillimit të Sinodit, u nënvizua se Shkrimi Shenjt duhet të jetë në qendër të vëmendjes, në përpjekjen për kërkimin e për sigurimin e kësaj paqeje, aq të dëshiruar nga të gjitha palët në konflikt. “Fjala e Zotit, me zanafillë në Lindjen e Mesme, duhet të jetë në bazë të çdo veprimtarie edukative, mësimore e edhe të çdo tipi të dialogut, që të ndërtojmë, kështu, qytetërimin e dashurisë e të mirësisë për të gjithë. Kështu u shpreh, gjatë njërës nga seancat e Sinodit, imzot Bostros Fahim Auad Hana, ipeshkëv titullar i Mareotes dhe i Kuries së koptëve të Aleksandrisë, në Republikën Arabe të Egjiptit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Shkrimi i Shenjtë lindi në Tokën tonë të Lindjes së Mesme. Aty u frymëzua e prandaj Bibla pasqyron qartë karakteristikat e kulturës sonë, të gjuhëve tona. Shkrimi i Shenjtë, Fjala e Zotit, është fryt i dialogut të Zotit me njeriun e, prandaj, mund e duhet të jetë edhe mësuese e dialogut ndërmjet katolikëve, të krishterëve dhe vëllezërve të tjerë, jo të krishterë, në tokën tonë. Shkrimi i Shenjtë është mësues i qytetërimit të dashurisë, qytetërimit të Ungjillit, qytetërimit në të cilin njeriu e do, e respekton njeriun.

Pyetje: - Mund të jetë një pikë takimi edhe me fetë e tjera...

Përgjigje: - Po, për shembull, me myslimanët, sepse Libri i tyre i shenjtë, thotë për ne se jemi “ata të Librit”, ata që besojnë në Libër, e Libri është bazë e dialogut dhe e mirëkuptimit ndërmjet nesh.

Pyetje: - Pra, ju i ftoni të gjithë t’i rikthehen, me më shumë vëmendje, Shkrimit të Shenjtë...

Përgjigje: - Sigurisht. Është thirrje, që u drejtohet të krishterëve, për të rizbuluar pasurinë, thellësinë e mesazhit hyjnor. Burim, ky, i pashterrshëm i forcës hyjnore, ku mund të shuajmë etjen; atë etje, që na mban në jetë, pa të cilën nuk mund të jetojmë. Vërtet në Lindjen e Mesme ka ende shumë vështirësi, por kërcënimi i vërtetë nuk vjen vetëm nga fakti që jemi pakicë. Vjen kryesisht nga fakti se nuk jetojmë, ashtu si besojmë; feja e jeta jonë nuk janë një gjë e vetme, e pandarë.

yetje: - Cilat janë, sipas jush, pengesat kryesore ndërmjet njeriut e Shkrimit Shenjt?

Përgjigje: - Tekstet nuk kuptohen si duhet. Është e vërtetë se Bibla paraqet karakteristikat e kulturës sonë. Por të mos harrojmë, janë të dymijë vjetëve më parë! Prandaj theksoj se kemi nevojë për specialistë, për njerëz që i studiojnë Tekstet e, më e rëndësishmja, që i meditojnë, që bëjnë lectio divina, sepse është kjo, që e ushqen vërtet shpirtin e të krishterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.