2010-10-21 14:38:54

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpresa


(21.10.2010 RV)Papa Benedikti XVI flet shpesh për shpresë. Sinodi i tanishëm i Lindjes së Mesme, udhëtimi i fundit i Atit të Shenjtë në Mbretërinë e Bashkuar u bënë nën yllin e shpresës. Për të krishterët, shpresa është virtyt. Pikërisht këtë fjalë, pra fjalën “shpresë” do të shpjegojmë në emisionin e sotëm.


“Tani veç mbetet feja, shpresa e dashuria”: deklarata e shën Palit Apostull në Letrën e parë drejtuar Korintianëve (13,13) i ka ofruar traditës së krishterë bazën për të klasifikuar tri “virtyte teologale”, ato që kanë në rrënjë hirin hyjnor, të dikuar në zemrën e besimtarëve. E dyta e këtyre virtyteve, “motra më e vogël”, por që me trysninë e saj shtyn përpara dy motrat e tjera “më të mëdha” – siç thotë një poet francez (Charles Péguy), që i ka kushtuar një poemë shpresës – përbën gati një fill, që përshkon krejt Biblën. Shpresa sheh drejt së ardhmes në krejt Besëlidhjen e Vjetër, por edhe në të Renë, rreshtat e fundit tingëllojnë plot shpresë: “Shpirti i Shenjtë dhe Nusja thonë: Eja! Edhe ai që dëgjon le të thotë: Eja!... Ai që i dëshmon këto, thotë: Po, po vij për së shpejti!...Eja, o Zot, Jezus” (Zb 22,17.20).
Natyrisht, rruga e njerëzimit në histori na shtyn shpesh kah dëshpërimi, siç rrëfen Jobi: “Më kaluan ditët më shpejt se druga e vegjëtarit, u sosën, mbetën pa fije shprese… Po ku më për mua ka shpresë? Fatin tim kush do ta vërejë?” (7,6; 17,15). Por besimtari duhet të ecë përpara me guxim, duke e ngulur vështrimin në horizontin e shëlbimit të plotë, i gatshëm, siç na sugjeron Shën Pjetri në Letrën e tij të Parë, t’i përgjigjet kujtdo, që t’i kërkojë arsyen e shpresës brenda tij (3,15). Jo më kot, shën Pali Apostull përdor dy fjalë greke për të përshkruar këtë besim, atë tipike “elpìs” (që përmendet 86 herë në Besëlidhjen e Re) dhe “hypomonè”, që evokon idenë e “të qëndruarit poshtë” një peshe, një barre. Është qëndrimi nën qiellin e errët, me sigurinë se do të arrijë çasti për ta hedhur barrën e rëndë e për t’u gëzuar më në fund nën qiellin plot dritë.
Atëherë, shpresa nuk është iluzion, por durim e vazhdimësi, që ndërthuret në trilogjinë e virtyteve, pra me “fenë vepruese, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin”, siç thuhet në Letrën e parë drejtuar Selanikasve (1,3). Kjo forcë lind nga fakti se “shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona” (Rom 5,5). Në bazën e shpresës së krishterë pra, qëndron hiri hyjnor, që na mban e na bën të luftojmë kundër çdo të keqeje në botë. Por s’duhet harruar që shpresa, e cila është virtyt rinor, nuk mund të kuptohet pa pritjen e durimin. Domethënëse për këtë është shembëlltyra e grurit dhe egjrës (Mt 13,24-30).
Skena e historisë është e ngjashme me një fushë, ku gruri dhe barërat e këqia, pra e mira dhe e keqja, rriten sëbashku. Është i fortë tundimi për të reaguar me zemërim duke shkulur egjrën, por kështu rrezikojmë të prishim edhe grurin. Ndërsa shpresa pasqyrohet në vendosmërinë e qetë dhe të matur, që di të presë kohën kur vetë Zoti ndërhyn me gjykimin e tij të drejtë. Natyrisht, besimtari nuk qëndron duarkryq, nuk shkurajohet, por as reagon verbërisht: “Heshto para Zotit e shpreso në Të e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, për njeriun që djerron tradhti”; “Kam besim të plotë në premtimin tënd” këndojnë pslamet(Ps 37,7; 119,81). Në fund do të lindë dita e madhe e shpresës, Pashkët e Krishtit e tonat, ai shëlbim i plotë, të cilit i thuren lavde në faqet e fundit të librit, që përshkohet fund e majë nga shpresa, Libri i Zbulesës. E atëherë, “Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj, që, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kurrë të mos ju mungojë shpresa!”(Rom 15,13).








All the contents on this site are copyrighted ©.