2010-10-20 18:12:08

Çështja e dialogut me islamizmin në Sinodin për Lindjen e Mesme


(20.10.2010 RV)Sinodi për Lindjen e Mesme vazhdon edhe sot punimet me dyer të mbyllura, mbi temën e “bashkimit e të dëshmisë”. Gjatë këtyre ditëve, ipeshkvijtë u ndalën në marrëdhëniet ndërmjet krishterimit e islamizmit. “Islami nuk do të thotë terrorizëm”, nënvizuan ata, duke shprehur nevojën e rritjes së përpjekjeve për dialogun me myslimanët. Në mikrofonin tonë, vikari i madh (protosinçel) i Babilonisë së Kaldejve për Jordaninë, atë Rajmond Musalli:
Duam t’ua hapim dyert sidomos myslimanëve të moderuar. Nuk duam një islam kundër të krishterëve. Ne e dimë se edhe ata, ashtu si ne, besojnë në një Zot të vetëm.
Marrëdhëniet me Islamin, sipas jush, janë ndër aspektet e rëndësishme që u diskutuan në Sinod?
Po, është shumë e rëndësishme në këtë kohë, pas ofensivës së ekstremistëve kundër të krishterëve në disa vende. Shumë të krishterë irakianë janë larguar, kanë emigruar, vetëm sepse janë të krishterë. E duam t’u themi vëllezërve myslimanë se edhe ne jemi banorë të këtyre trojeve e duam të jetojmë këtu sëbashku me ta, ashtu siç kemi bërë që prej 1400 vjetësh. Duam të vazhdojmë të japim dëshminë tonë të krishterë në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ç’do të thotë të jesh i krishterë në një vend ku sundon ligji islamik?
Ka vende, që nuk i njohin të krishterët si qytetarë të barabartë me të tjerët: mendojnë se jemi të dorës së dytë…
Prania e Kishës në ato vende me shumicë myslimane, nuk është gjithnjë e lehtë. Siç kujton edhe dokumenti “Instrumentum Laboris” i Sinodit për Lindjen e Mesme, gjendja e të krishterëve bëhet delikate edhe nga fakti se në fenë islamike nuk ka dallim të qartë ndërmjet fesë dhe politikës. Të ndjekim ipeshkvin titullar të Formës dhe vikarin apostolik të Alepit në Siri, imzot Xhuzepe Naxaro:
Të krishterët, duke qenë të paktë në numër, shpesh e ndjejnë veten si të shtrënguar në darë: jetojnë nën ndikimin e regjimeve me karakter islamik, ku libri i shenjtë, Kurani, flet edhe për politikën.
Cila është veprimtaria e Kishës Katolike në Siri?
Bashkësia e katolikëve të ritit latino-romak është e vogël, por punon edhe në ndihmë të Kishave lindore, si katolike, ashtu edhe ortodokse, sidomos përmes veprimtarisë së rregulltarëve dhe të rregulltareve. Jemi të pranishëm në mëse 60 pika misioni, aty ku nuk ka bashkësi katolike të ritit romak, por vetëm lindor. Merremi me shpërndarjen e ilaçeve, me katekizmin dhe më ndihmën për familjet në nevojë.
Prania e katolikëve në Lindjen e Mesme është shpesh një dëshmi e heshtur përmes jetës dhe veprimtarive bamirëse, përkrah të fundmëve të shoqërisë. “Prandaj – deklaroi në Sinod kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marko Impaliaco – është në interes të shoqërive myslimane, që bashkësitë e krishtera të jenë të gjalla dhe aktive në Lindjen e Mesme”. Por ta dëgjojmë vetë Marko Impaliacon, në mikrofonin tonë:
Të krishterët në Lindjen e Mesme janë pakicë, për shkak të problemeve të ndryshme të historisë së shekujve të fundit, por nuk e kanë humbur sensin e misionit të tyre. Sipas meje, të krishterët në Lindjen e Mesme duhet të jetojnë sipas idesë së Benediktit XVI për pakicën krijuese. Krijimtaria shprehet me rimendimin e kuptimit dhe të vlerës së pranisë së tyre, të cilën unë e shoh si pararojë në këtë botë, ku duhet të jetojmë sëbashku. Të krishterët kanë një veçori të madhe: jetojnë sëbashku me hebrenjtë, jetojnë me myslimanët e në fund të fundit, përfaqësojnë botën e sotme, në të cilën të gjithë, mirë a keq, duhet të jetojmë me të tjerët. Ky mision i tyre, sipas meje, ka kuptim të thellë edhe për Perëndimin.
Rëndësia e pranisë së krishterë është nënvizuar edhe nga diskutimet e eksponentëve të feve të tjera në Sinod…
Po, para së gjithash, të krishterët ndihmojnë në ndërtimin e një shoqëria më pluraliste. Përfaqësuesit myslimanë thanë qartë se pa të krishterët, shoqëria islamike do të bëhej më fondamentaliste, pasi krejtësisht homogjene. Lindja e Mesme nuk ka qenë kurrë homogjene, por e shumëllojshme, prandaj është vendi ku prej shekujsh njerëzit jetojnë sëbashku e ky mesazh është i gjallë edhe sot.
Të qenit pakicë nuk duhet të jetë pengesë…
Absolutisht jo. Më duket se nga këto ditë në sinod po del në pah një fjalë. Ajo është “shpresa”. Pas shumë vitesh me probleme, për shkak të luftës në Irak, të krishterët po marrin guxim dhe e shohin të ardhmen me shpresë, pavarësisht se janë vetëm një grigjë e vogël.







All the contents on this site are copyrighted ©.