2010-10-20 18:40:39

Presidenti i Këshillit Europian,Van Rompuy: BE-ja mbështet Shqipërinë drejt integrimit Evropian


"Bashkimi Europian do të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt integrimit europian, por përgjegjësia kryesore për progresin mbetet te udhëheqja politike e shqiptarëve", tha sot Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, i cili zhvilloi vizitën e tij të parë në Shqipëri, pas marrjes së detyrës në dhjetor të vitit 2009.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, Presidenti Van Rompuy përcolli mesazhin e inkurajimit që vendi të vazhdojë përpjekjet për reformat dhe rolin pozitiv në rajon.
Ai e cilësoi historik progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria në 20 vitet e fundit. "Në këtë periudhë 20 vjeçare Shqipëria ka ecur shumë përpara. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s, ka hyrë në fuqi MSA me BE dhe së shpejti Komisioni Europian do të nxjerrë një opinion për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE", tha Van Rompuy.
Duke mos pranuar të komentojë substancën dhe thelbin e rekomandimeve të pritshme të Komisionit Europian, Presidenti Van Rompuy shprehu bindjen se "opinioni ka për të qenë i drejtë dhe objektiv". Sipas tij, "ky opinion do pasqyrojë situatën në vend, duke i dhënë meritat e duhura arritjeve të Shqipërisë dhe duke identifikuar sfidat dhe reformat e reja për të ardhmen e Shqipërisë".
Për sa i përket rrugës drejt BE-së, ai theksoi se ka ende punë për të bërë. "Zgjerimi do të jetë një proces i bazuar mbi performancën apo punën e bërë, duke patur në fokus plotësimin e standardeve dhe kritereve për integrimin europian. Axhenda e demokracisë dhe shtetit të së drejtës do të mbetet e një rëndësie të veçantë për të ardhmen", tha ai.
Presidenti Van Rompuy vlerësoi si çështje kyçe progresin e qëndrueshëm në fusha si shteti i së drejtës apo reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar. Ai kërkoi që reformat të zbatohen në mënyrë efikase.
Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Presidenti Van Rompuy tha se kjo është një çështje jo vetëm simbolike, por edhe shumë praktike. "Kjo është një çështje simbolike, pasi ka të bëjë me një nga liritë më themelore të BE-së, por është gjithashtu praktike pasi liberalizimi i vizave u jep qytetarëve mundësi të prekshme", tha ai.
Liberalizimi i vizave për Shqipërinë është tashmë vetëm një hap nga realizimi i tij, tha Van Rompuy, ndërsa shprehu besimin se "ky hap do ndërmerret shumë shpejt".
Duke u ndalur te rëndësia që ka bashkëpunimi rajonal, Presidenti Van Rompuy u shpreh se "integrimi europian i vendeve të Balllanit Perëndimor duhet të shoqërohet nga përpjekje energjike për të promovuar çdo bashkëpunim rajonal". Ai vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në lidhje me stabilitetin rajonal.
"Kam ardhur në Tiranë si pjesë e një turi rajonal, dje kam vizituar Podgoricën dhe Shkupin, sot e fillova ditën në Sarajevë, por kam qenë në një vizitë të mëparshme gjatë muajit korrik edhe në Zagreb, Beograd dhe Prishtinë. Duke bërë vizita në të gjitha kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor rikonfirmoj edhe njëherë angazhimin e fortë të BE-së për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen europiane të rajonit", tha Presidenti Van Rompuy.
Ai theksoi se "asistenca teknike dhe financiare për rajonin për vitet 2010-2012 është mbi 2 miliardë euro". "E
ardhmja europiane është thelbësore për të ardhmen e rajonit. Progresi drejt anëtarësimit në atë që është tregu i vetëm më i madh i të gjithë botës do të jetë një aset apo vlerë e paçmuar për të thithur investimet e huaja dhe për të ulur papunësinë", shtoi ai.
Vlerat thelbësore të BE janë toleranca dhe respekti për diversitetin, tha më tej Van Rompuy, duke theksuar se "ky proces duhet të jetë një spirancë për stabilitetin rajonal dhe për të kaluar ngjarjet e së shkuarës".
Ai theksoi se "për herë të parë në historinë e tyre vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë me njëri-tjetrin një vizion strategjik për të ardhmen, integrimin në BE".







All the contents on this site are copyrighted ©.