2010-10-20 14:58:50

Papa njofton se do të krijojë 24 kardinaj në koncistorin e 20 nëntorit


(20.10.2010 RV)Sot paradite, në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI njoftoi se më 20 nëntor do të mbledhë një Koncistor, gjatë të cilit do të krijojë 24 kardinaj. Ndërmjet tyre, 20 me të drejtë zgjedhore. Kardinajtë e rinj vijnë nga katër kontinente: 15 janë evropianë; katër, afrikanë; 4 amerikanë; një aziatik. Me koncistorin e ri, numri i kardinajve do të jetë 203, nga të cilët, 121 me të drejtë për të zgjedhur Papën e edhe për t’u zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit.

Lajm i gëzueshëm për Kishën. Benedikti XVI, në një atmosferë festive, njoftoi gjatë audiencës së përgjithshme se do të krijojë 24 kardinaj të rinj. Nënvizoi, sidomos, rëndësinë që kanë kardinajtë për jetën e Kishës e, në mënyrë të posaçme, për vetë Papën:
Kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Pasardhësin e Apostullit Pjetër në kryerjen e misionit të tij për mbrojtjen e parimeve e të themeleve të përhershme e të dukshme të unitetit të fesë e të bashkimit të Kishës”.
Në Koncistorin e ardhshëm, i treti i papnisë së Benediktit XVI, do të marrin kësulën kardinalore imzot Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për çështjet e shenjtorëve; imzot Mauro Piaçenca, prefekt i Kongregatës për Klerin; imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës; imzot Fortunato Baldeli, Kryependestar; imzot Velazio de Paolis, kryetar i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë.
Gjithnjë nga klerikët e Kuries, do të krijohen kardinaj kryeipeshkvi amerikan Raimond Leo Burke, prefekt i Senjaturës Apostolike; prelati sviceran Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve; imzot Robert Sarah, i Guinea- Konakri-së, kryetar i Cor Unum. Do të krijohen kardinaj edhe imzot Paolo Sardi, Pro-patron i Urdhërit të Maltës, dhe imzot Françesko Monterizi, kryeprift i Bazilikës së Shën Palit.

Ndërmjet ipeshkvijve, që kryesojnë dioqeza, do të krijohen kardinaj imzot Paolo Romeo, kryeipeshkëv i Palermos; imzot Reinhard Marks, kryeipeshkëv i Munih- Frizingës në Bavari si dhe imzot Kazimierz Nyç, kryeipeshkëv i Varshavës. E akoma, imzot Donald V. Vuerl, kryeipeshkëv i Uashingtonit; imzot Lorent Monsenguo Pasinia, kryeipeshkëv i Kinshasës; imzot Medard Jozef Mazombve, kryeipeshkëv nderi i Luzakës; imzot Malkolm Ranjith Patabendige Don, kryeipeshkëv i Kolombos; imzot Raimund Damasheni Asiz, kryeipeshkvi brazilian i Aparesidës; imzot Raul Eduardo Vela Kiriboga, kryeipeshkëv nderi i Kuitos dhe Patriku i Koptëve të Aleksandrisë, Anton Naguib.
Së fundi Papa do të krijojë edhe katër kardinaj, që i kanë kaluar të 80-tat e që do të kenë vetëm të drejtë këshillimore në Konklav. Janë: imzot Hosè Manuel Estepa Llaurens, spanjoll, kryeipeshkëv nderi në ushtri; imzot Elio Sgreçia, ish-kryetar i Akademisë Papnore për Jetën; imzot Domeniko Bartoluçi, ish-mjeshtër i Kapelës Sikstine dhe imzot Valter Brandmyler, gjerman, ish-kryetar i Komitetit Papnor të shkencave historike. Papa nënvizoi se larmia e vendeve nga vijnë kardinajtë, pasqyron qartë universalitetin e Kishës:
Në listën e kardinajve të rinj pasqyrohet universaliteti i Kishës; ata vijnë nga të katër anët e botës e kryejnë detyra nga më të ndryshmet në shërbim të Selisë së Shenjtë e në lidhje të drejtpërdrejtë me popullin e Zotit, si Etër e Barinj të Kishave të veçanta. Ju ftoj të luteni për kardinajtë e rinj, duke i kërkuar porsaçërisht Virgjërës Mari, Nënës së Shenjtnueshme të Zotit, të ndërmjetësojë që ta kryejnë me fryt detyrën në Kishë”.
Kujtojmë se Papa vendosi edhe një rregull të ri, që i kufizon emërimet kardinalore; ka të bëjë me ato seli dioqezane, që kryesohen nga një ipeshkëv i ri, ndërsa vijon të kryejë detyrën edhe një ipeshkëv nderi, kardinal, nën moshën 80 vjeç. Ky kriter, e kufizon zgjedhjen e menjëhershme kardinalore të ipeshkvit të ri. Ndërsa kriteri tjetër i rëndësishëm, është ai i universalitetit të kardinajve.







All the contents on this site are copyrighted ©.