2010-10-19 07:52:59

Gjon Pali II: më Nënë Terezën Shqipëria është nderuar gjithmonë në botë


Gjatë periudhës së errët të izolimit të plotë të Shqipërisë nga bota nën diktaturën komuniste, sipas Gjon Palit II, ishte pikërisht Nënë Tereza ajo që e barti dhe nderoi emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve në mbarë botën. Po, pikërisht atëherë kur populli shqiptar shtypej e persekutoj nga komunizmi ateist, atëherë nuk kishte kurrfarë lirie e vuante mizorisht nga persekutimi i tërbuar, atëherë kur dhunoheshin e mohoheshin vlerat njerëzore, shpirtërore, kulturore e deri edhe ato kombëtare, ishte pikërisht Nënë Tereza, bija e mohuar dhe e refuzuar nga komunistët shqiptarë, ajo që e mbajti lartë para botës mbarë të ndezur dritën e shpirtit të vërtetë të popullit shqiptar e shpresën e tij.

Papa Gjon Pali II Gjatë vizitës së tij apostolike historike në Shkodër, më 23 prill 1993, pas kremtimit të Meshës në Katedralen e qytetit, gjatë lutjes së mesditës të Mbretëreshës Qiellore nga ballkoni i selisë së kryeipeshkvisë, para sheshit të Katedrales mbushur përplot me besimtarë e qytetarë shkodranë e të rretheve tjera të veriut, e falënderoi popullin shqiptar për këtë dhuratë të madhe që është Nënë Tereza e tha për të:.....RealAudioMP3

“Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person shumë të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës.
Të gjithë e dinë nga vjen, cili është atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve e çonte në mbarë botën emrin e Atdheut tuaj.
Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë.
Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtet të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të bamirësisë.
Ju falënderoj sot në emër të Kishës universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj.
Të gjithë le ta falënderojmë Zotin për këtë ditë.
‘Kjo është dita që na dhuroi Zoti’. Zoti ju bekoftë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.