111-vjetori i lindjes së martirit të kohës së komunizmit Atë Gjon Faustit
(19.10.2009 RV) Emrin e jezuitit Atë Faustit tani mund ta lexojmë në kalendarin e
Kishës universale. Njihet si martir i Kishës katolike gjatë persekutimit fetar në
Shqipërinë komuniste; konsiderohet si pararendës i dialogut islamiko –kristian e si
dëshmitar i dashurisë së krishterë e i fesë në kohët tona. Janë vetëm disa nga
titujt që i njihen nga bibliografia tejet e pasur, e cila flet për jetën dhe veprimtarinë
misionare të jezuitit martir, lindur në Broco, pranë Breshias (Itali) më 19 tetor
1899 e pushkatuar nga komunistët më 4 mars 1946 në Shkodër (Shqipëri) te Zalli i Kirit,
pas mureve të varrezës së Rrëmajit, ku jehoi e jehon ende brohoritja e tij dhe e martirëve
të tjerë shqiptarë, që i ranë përkrah për fe e atdhe: “Rrënoftë Krishti Mbret! Rrënoftë
Shqipëria”. Me sjelljen e me guximin e tij, Atë Fausti u dëshmoi si të krishterëve,
ashtu edhe myslimanëve të Shqipërisë, se ata që besojnë në Zotin e në jetën e pasosur,
nuk janë skllevër të kënaqësive të kësaj bote, skllevër të etjes për pushtet, për
sukses, për pasuri, por janë në gjendje ta përballojnë me qetësi e guxim vdekjen për
t’i qëndruar besnikë një ideali të vetëm, të pavdekshëm, atij të Ungjillit e të vëllazërimit.