2010-10-18 15:33:52

Papa ambasadorit të El Salvadorit: Kisha nuk mund të qëndrojë indiferente para të këqiave të shoqërisë


(18.10.2010 RV)Papa priti sot edhe ambasadorin e ri të El Salvadorit pranë Selisë së Shenjtë, Manuel Roberto Lopez Barrera, i cili paraqiti Letrat Kredenciale. Benedikti XVI nënvizoi trashëgiminë e krishterë të vendit dhe rolin e rëndësishëm të Kishës në promovimin e paqes e të zhvillimit.
Në vitin 1992, El Salvadori doli nga një luftë, që zgjati 10 vjet. Tani po vazhdon procesin e pajtimit të brendshëm, por ekonomia akoma është e dobët, me një borxh të jashtëm mjaft të madh, me një tregues të lartë kriminaliteti dhe analfabetizmi.
Papa kujtoi se Kisha nuk mund ta shohë me indiferencë këtë gjendje, prandaj impenjohet, sipas kompetencave të saj, për të mirën e përbashkët. Benedikti XVI bëri thirrje për arritjen e pajtimit të plotë, pasi dhuna, theksoi, është rrugë pa krye, që çon drejt destabilizimit të vendit. Ati i Shenjtë vuri në dukje rolin e forcave të rendit për të garantuar ligjshmërinë dhe mirëqënien e popullsisë. Së fundi, përmendi praninë agresive të sekteve, të cilat duken si përgjigje e lehtë ndaj etjes për Zotin, por minojnë kulturën dhe zakonet, që kanë plazmuar për shekuj me radhë identitetin e krishterë të El Salvadorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.