2010-10-18 16:42:08

Në kremtimin për 6 shenjtorët e rinj, Papa ftoi ‘për t’u lutur pa u lodhur; në Engjëllin e Tënzot, për kërkimin e së mirës së përbashkët në politikë.


(18.10.2010 RV)“Lutuni pa u lodhur kurrë”, është ftesa që Papa Benedikti XVI u drejtoi besimtarëve në të dielën e djeshme, të cilën e quajti “festë e shenjtërisë”. U shpreh kështu, sepse pikërisht dje kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, kremtimin për shenjtërimin e 6 të Lumëve me kombësi të ndryshme. Dhjetra mijëra, besimtarët e ardhur nga Spanja, Polonia, Kanadaja, Australia e Italia.
Në kremtimin e Engjëllit të Tënzot, gjatë përshëndetjes drejtuar pjesëmarrësve të Javës së 46-të shoqërore, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, Papa foli për ngjalljen e shpresave të reja, duke bërë edhe thirrje që politika të punojë për të mirën e përbashkët.

Nganjëherë lutja na lodh, na krijohet përshtypja se nuk është edhe aq e nevojshme për jetën: me këto fjalë Benedikti XVI preku një pikë delikate në jetën e të gjithë besimtarëve, atë të çastit të lëkundjes, të mosbesimit, që nganjëherë e pushton shpirtin e lodhur nga jeta. Për më tepër, foli edhe për tundimin, po aq të zakonshëm: tundohemi, shpjegoi Ati i Shenjtë, t’i kushtohemi veprimtarive të jetës së përditshme, të përdorim të gjitha mjetet, e mundshme e të pamundshme njerëzore, për të arritur qëllimet tona e nuk mendojmë fare për Zotin. E pra, pohoi Papa, me shembëlltyrën e gjykatësit të pandershëm, nga liturgjia e Meshës, Jezusi na mëson: “Në se gjykatësi i pandershëm në fund të fundit dorëzohet e ia vë veshin lutjes së vejushës, aq më tepër do të na i dëgjojë lutjet tona Hyji, që është mirësia e pambaruar:
"Zoti është bujaria vetë, është vetë mëshira, e prandaj është gjithnjë i gatshëm të na i dëgjojë lutjet. Prej këndej, nuk duhet të biem asnjëherë në prehërin e dëshpërimit, por të lutemi me ngulm, pa na lëshuar kurrë zemra”.
Është e qartë, mëson Papa, se lutja duhet të jetë shprehje e fesë, përndryshe nuk mund të quhet lutje e vërtetë. Në se njeriu nuk beson në mirësinë e Zotit, nuk mund të lutet si duhet:
Feja është themelore, si bazë e lutjes. Kështu e kuptuan edhe 6 të Lumturit, që sot i propozohen për nderim Kishës universale: Stanisłao Sołtis, André Beset, Kándida María de Jesús Çipitria i Barriola, Meri e Kryqit MëkKillop, Gjulia Salcano e Batista Kamila Varano”.
Papa Benedikti XVI i kujtoi një për një shenjtorët e rinj, bij të 5 vendeve të ndryshme, duke skicuar tiparet e tyre më dalluese:
“Święty Stanisław Kazimierczyk, zakonnik z XV wieku, i dla nas może być przykładem i orędownikiem...”
“Shën Stanislao Kazimirçuk, rregulltar polak, që jetoi në shekullin XV, e lidhi gjithë jetën e tij me Eukaristinë. Kungimi ishte për të “burim e shenjë e praktikimit të dashurisë për të afërmin”.
“Frère André Bessette, originaire du Québec, au Canada, et religieux de la Congrégation de la Sainte-Croix, connut très tôt la souffrance et la pauvreté…”
“Vëllau André Beset, me prejardhje nga Kebeku i Kanadasë, rregulltar i Kongregatës së Shenjtes Krygjë, që njohu varfërinë e vuajtjen, e jetoi fenë si rrugë, në të cilën mund të ecte lirisht e pa asnjë pengesë drejt Zotit, për të bërë plotësisht vullnetin e Tij e për të provuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij:
“La Madre Cándida María de Jesús Cipitria y Barriola…”
Duke folur për Nënën spanjolle Kándida María, Papa kujtoi se nën udhëheqjen e etërve të saj shpirtërorë, jezuitë, jetoi gjithë jetën vetëm për Zotin:
“…the courageous and saintly example of zeal, perseverance and prayer of Mother Mary McKillop…”
Shembulli i guximshëm e shenjt, plot zell, ngulm e lutje, i Nënës australiane Meri MëkKilop, e nxiti atë t’ia kushtonte, që në rini, gjithë jetën edukimit të njerëzve të varfër.
Më pas, edhe një mendim për Gjulia Salcanon, mësuese në shkollat fillore të gjysmës së shekullit XIX në Kampania, në Jug të Italisë:
“Nënë Gjulia e kuptoi më së miri rëndësinë e katekizmit në Kishë, shkriu në një, përgatitjen pedagogjike me përshpirtërinë e flaktë, duke iu kushtuar me bujari e inteligjencë e duke dhënë një ndihmesë të shquar për edukimin e çdo njeriu, pavarësisht nga mosha e nga përkatësia shoqërore”.
Për Batista Kamila Varanon, murgeshë klarise e shekullit XV, që e dëshmoi deri në fund Ungjillin me jetën e saj, sidomos me lutjen e paprerë, Papa nënvizoi:
“Në një kohë, kur në Kishë vërehej një farë shthurjeje e sjelljeve, ajo eci me vendosmëri në rrugën e pendesës e të lutjes, e frymëzuar nga dëshira e zjarrtë për risimin e Korpit mistik të Krishtit”.

Në përfundim të kremtimit solemn, lutja mariane e Engjëllit të Tënzot. Papa përshëndeti edhe një herë shtegtarët, ardhur për kanonizimin, duke folur në disa gjuhë. Në polonisht, përshëndeti presidentin e Republikës polake, i pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilin Benedikti XVI e priti, të shtunën e kaluar, në audiencë. Në italisht, një mendim për dy shenjtoret e reja e një thirrje domethënëse me temën e veprimtarisë shoqërore e politike: Papa përshëndeti pjesëmarrësit e Javës së 46-të shoqërore të katolikëve italianë, të lidhur drejtpërdrejt me Sheshin e Shën Pjetrit nga Rexhio Kalabria, duke pohuar se ky takim hapi një rrugë të re shprese. Në përfundim, një urim, me vlerë për të gjithë besimtarët katolikë:
“...uroj që kërkimi i së mirës së përbashkët të jetë gjithnjë pikë e sigurt referimi për impenjimin e katolikëve në veprimtarinë shoqërore e politike".







All the contents on this site are copyrighted ©.