2010-10-17 11:55:33

Shenjtorët e javës 17-24 tetor 2010


Sot, e dielë 17 tetor, fillon java e 29-të e kohës së zakonshme të vitit liturgjik. Sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejet të vështirë të jetës.

Të hënën e ardhshme, më 18 tetor, Kisha përkujton Shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot e kësaj dite kumtimi i Mbretërisë së Hyjit mbetet urgjent e se të korrat janë të shumta, në sa punëtorët, të paktë. Prandaj, si i nisi të Dymbëdhjetët, Jezusi çoi pas tyre edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë, me urdhrin që t’i luteshin të zotit të të korrave të dërgonte punëtorë të tjerë në arë.

Më 19 tetor, ditën e martë, kremtohet festa e shën Palit të Kryqit, pasionist, e shën Gjonit të Brëbëfit dhe e shën Isakut Joges. Zoti ia shpall paqen popullit të vet, na mëson liturgjia e kësaj dite. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.

Të mërkurën më 20 tetor, kalendari përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin dhe shën Vitalin. Dashuria e Zotit është kërkuese, na tregon Ungjilli i ditës. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin.

Të enjten e ardhshme, 21 tetor, sipas kalendarit kishtar, bie përkujtimi i Shën Orsolinës, Shën Çeçiles e Shën Gasprit nga Bufalo. Me dashurinë e Zotit është plot toka, thonë leximet e kësaj dite. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.

Të premten më 22 tetor, festohet Shën Donati nga Fiezole, shën Dun Skoti e shën Alberci. Të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës.

Të shtunën e ardhshme me 23 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Kapestranin e Shën Severinin. Ata na mësojnë se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit.

Më 24 tetor bie e diela e 30-të e vitit kishtar 'C.' Festohet gjithashtu Shën Anton Maria Klaret dhe i Lumi Luigji Guanella. Në këtë ditë, mbarë Kisha Katolike kremton Ditën e 84-t Botërore Misionare.







All the contents on this site are copyrighted ©.