2010-10-17 11:57:09

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Një festë për jetën”


Bënë xhiron e globit imazhet e javës së kaluar, që pasqyronin operacionet e shpëtimit e të nxjerrjes nga galeria të 33 minatorëve, të cilët ishin bllokuar në një minierë të Kilit që prej 2 muajsh. E gjithë bota e jo vetëm Kili, mori pjesë në festën e transmetuar nga televizioni. Kësaj ngjarjeje ia kushton komentin javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori i përgjithshëm i Radios sonë:

“Disa ditë më parë një i ri nga Kili, në fund të audiencës, i dha Papës një flamur të vendit të vet, që mbante firmat e 33 minatorëve. Papa e mbajti në apartamentin e vet, duke kujtuar çdo ditë në lutje ata njerëz, deri në çastin e lirimit, që erdhi më në fund.
Thuhet se mëse një miliard njerëz ndoqën me pasion fazën e lirimit, pasi kishin marrë pjesë në dy muajt e mëparshëm në shqetësimet e shpresat e minatorëve, të familjeve të tyre, të punëtorëve që përpiqeshin t’i nxirrnin nga thellësitë e galerisë ku ishin bllokuar e të gjithë Kilit.
Lirimi i tyre qe festë e madhe. Bukur, që në këtë botë, akoma dimë të interesohemi kaq shumë për një ndërmarrje të jashtëzakonshme, e cila u bë për të shpëtuar jetë njerëzish. Del në dritë vetëdija për vlerën e jetës e fuqia e mediave i lejoi njerëzimit të marrë pjesë në përpjekjen në favor të saj.
Mirë fort! Ndërsa gëzohemi për horizontin e ri të jetës së 33 vetëve, në sfond mbetet kujtimi për minatorë të tjerë të panumërt, që në vende të ndryshme të botës kanë tjetër fat, për shkak të fatkeqësive e kushteve të pasigurta të punës. Mbetet mendimi për shumë njerëz, që vdesin të harruar, ose të pavlerësuar. Impenjimi i mrekullueshëm i inteligjencës dhe i pasionit për të shpëtuar 33 jetë, a nuk duhet shumëfishuar për të shpëtuar edhe shumë të tjera? E mediat, a nuk duhet të vazhdojnë ta përfshijnë botën në impenjimin për jetën?”







All the contents on this site are copyrighted ©.