2010-10-16 09:41:52

Si sot, para tridhjetë e dy vjetësh Gjon Pali II zgjidhej Papë.


Viti 1978, i njohur edhe si viti i tre papëve do të arrinte në kulmin e vet më 16 tetor me zgjedhjen e Gjon Palit II. Në të gjithë botën kjo ngjarje u përkujtua me kremtime. Kurse në Vatikan, sot pasdite në orën 17.30 në aulën Pali VI, Benedikti XVI mori pjesë në shfaqjen e filmit “Dëshmia” mbështetur në librin “Një jetë me Karolin” të kardinalit kryeipeshkëv të Krakovisë Stanislau Gjivish, dhe të shkrimtarit Xhan Franko Sviderkovski.
Vetë kardinali Stanislau Gjivish, për 27 vjet sekretar personal i Papës Vojtila- e kryesoi sot paradite në orën 11.00 një Meshë përkujtimore në bazilikën e Shën Pjetrit. Është thënë e përsëritur shpesh se çfarë cilësi njerëzore dhe shpirtërore e bënë të dashur dhe të paharrueshëm papën polak nëpër botë. Por tematikat që mbrujtën magjisterin e tij mund të gjinden qysh në fillim të papnisë së tij. Një magjister i mbushur me dashuri kundrejt Kishës dhe njeriut, e i shoqëruar – veçanërisht në fillim – nga aftësitë komunikuese të jashtëzakonshme. Le të ndjekim një shërbim që reflekton mbi këto aspekte:
Na la kur ishte kapur fort pas kryqit të sëmundjes së tij dhe me një heshtje të zgavruar nga çdo mundësi komunikimi. Por ka patur një kohë kur zëri i tij jehonte me vendosmëri për të kumtuar fytyrën e Krishtit dhe për të denoncuar fytyrat e së keqes – një zë prej baritoni, i aftë për masa o tonalitet, miqësor o i rëndë. E ka patur edhe një hapësirë që humanizmi i tij e zotëroi krejtësisht, sepse mënyra e tij për të kuptuar misionin e vet përputhej me “kufijtë e botës”. Gjon Pali II u shua si një flakë e vogël me 2 prill, para tri vjetësh, por njerëzit në Shën Pjetër apo përpara televizorit në 16 tetorin e para 30 vjetëve patën mundësi të shijojnë zjarrin që do të shënjonte papninë e tij të gjatë.
Një zjarr zëri dhe idesh, tonalitetesh dhe vlerash, kujtimi i të cilave ka prirje të mjegullohet në kujtesë e të zëvendësohet nga kujtime më të vonshme, më të vuajtura, më të flashkëta. Ndërsa ne duam ta kujtojmë Karol Vojtilën në muajt e parë në Katedrën e Shën Pjetrit, duke e ndjekur në rrjedhën e zakonshme që karakterizonte ditën e Papës, në takimet e tij me njerëzit, në mësimin e tij të Ungjillit për çdo lloj kategorie njerëzish, duke dëgjuar disa copëza të fjalimeve të tija më të zakonshme e për këtë arsye edhe të lëna mënjanë nga retrospektivat biografike tashmë të njohura –e shpesh disi përsëritëse – që kanë të bëjnë me të.
Ishte Papë që prej tre muajsh e s’do të kalonte shumë e duke shkuar në Meksikë e në Puebla do të linte në kronikat e Kishës dhe të botës, shenjën e tij të parë të fortë të cilësive të tija apostolike. Qysh në sallën e aeroportit të Fiumiçinos, përpara nisjes, Gjon Pali II, duke folur me gazetarët, tregon se e ka të qartë vizionin e tij për rrethanat historike. Lufta e ftohtë ishte ende larg varrosjes së saj nën rrënojat e Murit të Berlinit dhe planeti i ndarë në dy blloqe lëkundej ndërmjet frikës dhe mosbesimit.
E prapëseprapë Papa i ri e di se ka një vlerë më të madhe sesa ideologjitë apo leverditë ekonomike tek e cila mund të mbështetet, - siç edhe bëri, - ai që e ka vërtetë për zemër të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ishte 25 janari i viti 1979:“Sigurisht, situata e përgjithshme e botës së sotme, e kontinenteve të ndryshme, e sistemeve të ndryshme, nuk është një situatë e e thjeshtë, por mjaft e ndërlikuar. Nga ana tjetër do të doja të isha optimist, sepse ajo çka është e mirë tek mendja dhe tek zemra e njeriut mund të fitojë. Është detyrë e Kishës, është detyrë e imja, të ndihmojë atë që është e mirë në mendjen njerëzore, në zemrën njerëzore, për të fituar mbi të keqen.”
Ndërsa fjala që mbajti në Pueble qe si një bubullimë. Por që përpara e pas Krishtlindjes së vitit 1978, Papa i kishte mëshuar edhe temave të tjera qendrore të magjisterit të tij që do të vërtitej rreth “qenies njerëzore.” duke filluar që nga njeriu i palindur e prandaj edhe i paaftë të mbrohet ndaj abuzimeve. Ja sesi u drejtohej atyre që në repartet e një spitali përpiqen të ndërthurin besimin me profesionalizmin:
“Shërbimi ndaj jetës duhet t’i gjejë të impenjuar, me entuziazëm të bollshëm, mbi të gjithë mjekët katolikë, të cilët në besimin e tyre në Zotin krijues, pasqyrë e të Cilit është njeriu, dhe në misterin e Fjalës së Amshuar të zbritur nga qielli te trupi i brishtë i një foshnje të pambrojtur, gjejnë një arsye të re e më të lartë për përkushtim të zellshëm, për përkujdesje e për tutelë të painteres për çdo vëlla, veçanërisht nëse është më i vogël, i varfër, i paaftë e i kërcënuar.”
Kjo ishte masa e besimit të Papës “që kishte ardhur nga larg”. Një njeri dhe një meshtar mësuar në vendin e tij të mbrojë duke luftuar ato vlera që të krishterët nga kjo anë e Murit të Berlinit përjetonin me një natyrshmëri shpeshherë të mbrujtur me sipërfaqësi. Një mbrojtje konkrete, e kthjellët, siç dëshmoi duke folur për drejtësinë shoqërore gjatë një audience me një grup punëtorësh të krishterë. Ishte 9 dhjetori i viti 1978 dhe mendimet e tij janë tepër aktuale ende sot, ndonëse kanë kaluar 30 vjet:
“U bëj thirrje ndërgjegjeje të të gjithëve, të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Të drejtat dhe detyrat u përkasin të dyja palëve, dhe në mënyrë që shoqëria të ruajë drejtpeshimin e paqes dhe të mirëqenies së përbashkët, është i nevojshëm impenjimi i të gjithëve për të luftuar dhe për të fituar kundër egoizmit. Sigurisht një ndërmarrje e vështirë kjo, por i krishteri duhet të jetë i drejtë në gjithçka e me gjithkënd, si në shpërblimin e punës dhe në mbrojtjen e punës, ashtu edhe në shpenzimin e forcave të veta. Në fakt ai duhet të jetë gjithkund dëshmitar i Krishtit, e rrjedhimisht edhe në punë.”

Ja reflektimi i drejtorit të përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardin mbi “Tridhjetë e dy vjetorin e zgjedhjes së Papës Vojtila...........
“Nuk është e çuditshme që përvjetori i zgjedhjes së Gjon Palit II të kremtohet me emocion e me gjithë ndjenjat e shpirtit. Pavarësisht nga kalimi i viteve, kujtimi mbetet tepër i gjallë e dëshmitarët janë ende të panumërt. Fakti që ishte i pari papë jo italian pas disa shekujsh, ardhja e tij nga Lindja e regjimeve komuniste, mosha relativisht e re, posaçërisht fjalët e tij të vetvetishme e të pazakonta në Ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, flisnin vetë për një personalitet të fortë e të lirë, që do të dinte të vendoste një lidhje të drejtpërdrejtë, ta bënte për vete popullin e krishterë, e më tej, edhe botën mbarë.
Një vetëdije e qartë – e përvujtë por e fuqishme në fe – e madhështisë së thirrjes së tij. Ai vetë na dëshmoi se Primati i Polonisë, kardinali Vishinski, i pati thënë, në ditët vendimtare të zgjedhjes, se ishte i thirrur t’i printe Kishës në mijëvjeçarin e tretë. E kjo edhe ndodhi, pavarësisht nga atentati e nga sëmundjet, duke hedhur poshtë realizmin mosbesues me të cilin e ndiqnin shumë prej nesh. E ai i priu një Kishe jo të mbyllur në vetvete, por të hapur dhe të aftë për të përballuar me guxim sfidat e kohës: që nga thirrja e tij ‘Mos kini frikë!”, shqiptuar në ditët e para të papnisë, deri tek ‘Duc in altum’ – ‘Dilni në det të hapur!”, në vitet e fundit, Papa Vojtila na dhuroi pasionin e kumtimit të Krishtit pa frikë, për një botë të pafundme e të trazuar, por gjithnjë të dashur nga Zoti, edhe në mijëvjeçarin e tretë. Ta mbajmë të gjallë këtë trashëgimi!”







All the contents on this site are copyrighted ©.