2010-10-16 09:26:58

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit ‘C’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele, dëgjues të nderuar, është urata apo lutja, ngushtë e lidhur me temën e fesë e të Fjalës së Zotit. Pra, liturgjia e kësaj së diele është një katekizëm biblik mbi mënyrën e të luturit që duhet të karakterizon uratën e besimtarit. Leximet biblike na paraqesin personalitete, njerëz të shquar në lutje para Hyjit, na paraqesin rëndësinë e qëndresën e lutjes. Në mënyrë të veçantë shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka na ofron aspektet teologjike të lutjes, duke nënvizuar qëndresën në uratë, sepse pikërisht në lutje pa pushim besimtari shpreh besimin, besnikërinë dhe aderimin e tij ndaj Zotit: “Jezusi u tregon nxënësve të vet një shëmbëlltyrë mbi domosdoshmërinë e lutjes së përhershme, të lutjes së thënë pa u lodhur (Lk 18,1).
Lutja është urë komunikimi mes njeriut e Zotit, mes krijesës e Krijuesit, mes tokësores e qiellores, mes njerëzores e hyjnores.
Sikur Moisiu, njeriu nuk lutet vetëm për vete, nuk e hap për vete kanalin e lidhjes me Zotin por me Të e lidhë njerëzimin mbarë, lutët për mbarë njerëzimin.
Sikur Jezu Krishti që ndërmjetëson për ne pranë Atit Qiellor, kështu edhe i krishteri përmes uratës duhet të ndërmjetësoi për botën mbarë.
Të lutësh do të thotë ta mendosh e kujtosh Zotin duke e dashur. Lutja është frymëmarrje e fesë; një i krishterë që nuk lutet nuk ka fe. Lutja pastaj ushqehen e mbështetët nga besimi që urata, herët a vonë, do të sjell fryte. Ti lutësh Zotit nuk është kurrë humbje kohe, nuk është tjetërsim nga realiteti i përditshëm, por impenjim në realitetin e çdo dite me forcën e Zotit, do të thotë të veprosh në mënyrë që realiteti të jetohet e ndërtohet përherë për të mirën e njeriut.
Të lutësh do të thotë të vihesh në mënyrë të qartë e të dukshme në dritën e Zotit, për të njohur e pranuar vetveten ashtu siç jemi: nevojtarë për Atë, për shenjtërinë e tij, për dashurinë e tij, për përdëllimin e tij, për fuqinë e tij hyjnore në mënyrë që të mund të realizojmë planin e tij, e të jetojmë në përkim me të Birin e Tij Jezu Krishtin, të kryqëzuarin e të Ngjallurin.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 17, 8-13

Hyji që ka thirrur Izraelin dhe e ka bërë të dalë nga Egjipti është një Hyj që ushqen popullin e tij kur ka uri, i shuan etjen kur ka etje dhe e mbështet kur ekzistenca e tij është e kërcënuar. Por Hyji nuk shpëton njeriun pa njeriun, dhe Moisiu e di mirë, duke u bërë ndërmjetësi para Hyjit për të fituar fitoren e popullit të tij.

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, erdhi Amaleku, për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehut: “ Zgjedh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.” Jozuehu bëri siç urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës.
Kur Moisiu i çonte duart lartë, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehu e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij.
Fjala e Zotit.

Psalmi 121

Ndihma jonë vjen prej Zotit
----- ----- -----
Sytë e mi i ngre drejt maleve:
prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit,
i cili krijoi qiellin e tokën.
----- ----- -----
S’do të lejojë që të merren këmbët,
nuk do të kotet ai që të ruan.
Jo, s’do të kotet as s’do të flejë
ai që e ruan Izraelin.
----- ----- -----
Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote,
Zoti është në të djathtën tënde!
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,
as hëna natën.
----- ----- -----
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,
Zoti do ta ruajë jetën tënde.
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua
që tani e përgjithmonë e jetës.
----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 3, 14 – 4, 2

Pali na nxit të ushqejmë besimin duke lexuar Shkrimet e Shenjta dhe të shpallim Fjalën e Hyjit pa frikë. Lexohet Bibla jo për tu mbyllur në një burg, por për të zbuluar së bashku me vëllezërit planin e Hyjit në histori. Bibla lexohet duke ecur me të tjerët. Të shpallësh fjalën do të thotë të dialogosh për të mësuar njëri-tjetrin.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin shenjt, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. I tërë Shkrimi shenjt, E frymëzuar prej Hyjit, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.
Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij, predikoje fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim!
Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.
Aleluja.

Ë Ungjilli Lk 18, 1-8

Të lutesh pa u lodhur do të thotë të pranosh ngadalësinë e rritjes së Mbretërisë, në fakt edhe Hyji e pranon. Lutja bëhet kështu një mjet për të treguar se kush është Hyji dhe si sillet Ai ndaj njerëzve. Hyji na pret pa pretenduar të gjejë akoma besimin në njeriun. Edhe i krishteri që lutet është në pritje pa qenë i sigurt nëse ka arritur qëllimin e tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore’.”
Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritët me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”
Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, mund të dëgjoni këtu........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.