2010-10-16 09:39:21

Imzot Dodë Gjergji priti shefin e deritanishëm të EULEX-it, Yves De Kermabon


Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, më 13 tetor 2010, priti në Prishtinë në takimin lamtumirës shefin e EULEX-it, z. Yves de Kermabon. Gjatë takimit ipeshkvi i Kosovës falënderoi shefin e Eulexit de Kermabon për angazhimin dhe kontributin që dha në ushtrimin e rendit e të ligjit në Kosovë, e me rastin e përfundimit të mandatin të tij si shef i misionit EULEX-it më 15 tetor, i shprehi mirënjohjen për gjithë atë që bëri për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Rendi e respektimi i rregulloreve të një shoqërie, janë shenjë e rritjes dhe përforcimit demokratik të një Vendi, tha ipeshkvi duke nënvizuar faktin që kohëve të fundit në Kosovë, vërehet një respektim gjithnjë në rritje i rregulloreve e rendit nga ana e qytetarëve të Shtetit të ri.
Iv de Kermabon nga ana e tij vlerësoi ndryshimet e mëdha që janë bërë në Kosovë, posaçërisht pas Pavarësisë, si dhe rolin e EULEX-it në këto procese. Ai gjithashtu theksoi se me emocion po ndahet nga Kosova, ku ka kaluar një kohë të gjatë, qoftë si ushtarak, qoftë si shef i EULEX-it.
Gjatë vizitës së tij nëpër të gjitha Kishat katolike të Kosovës, tha ai, kam mbetur i mahnitur duke parë Kishat e mbushura përplot me besimtarë. Kjo Kishë lokale edhe pse e vogël numerikisht, është e gjallë e dinamike, nënvizoi shefi i EULEX-it.
Kermabo u largua nga Kosova më datën 15 tetor, dhe zëvendësohet nga një tjetër gjeneral francez, ish-komandanti i KFOR-it, Xavier Bout de Marnhac.







All the contents on this site are copyrighted ©.