148-vjetori i lindjes së kardinalit Aleksandër Albani
(16.10.2010 RV)Më 16 tetor 1862 lindi në Urbino të Italisë kardinali Aleksandër Albani,
bir i familjes së famshme italiane me origjinë shqiptare, Albani, i pari i së cilës
mendohet të ketë qenë Kel Laca, ikur nga Shkodra gjatë sulmit të tmerrshëm turk të
vitit 1464. Ai zuri vend në Urbino të Italisë, ku i lindën dy djem, që nisën të përdorin
për herë të patë llagapin Albani. Fillimisht Albanët ndoqën karrierën ushtarake, ndërsa
aty nga fillimi i shekullit XVI u lidhën ngushtë me Kurien Romake, në kohën kur në
selinë e Shën Pjetrit ishte papa Urbani. Njëri nga nipat e Kel Lacës, Giovan Francesco
Albani, ndoqi karrierën kishtare, duke u bërë kardinal e papë me emrin Klementi XI.
Me të fillon radha e gjatë e kardinajve Albani, njëri nga të cilët është edhe Aleksandri
(1672-1779), nip i Papës Klementi XI dhe mbrojtës i famshëm i arteve e i artistëve. Me
pasion të madh për artin, ai mblodhi një koleksion tepër të pasur veprash të ndryshme
arti, sidomos shtatoresh të lashta. Ky koleksion u bë bërthama e njërit nga muzetë
më të pasura të Italisë, vilës-muze të rrugës Salaria në Romë, ndërsa në pallatit
tjetër, në zonën e Quattro Fontane, ngriti një nga bibliotekat më të famshme të kohës,
punën për themelimin e së cilës e la në duart e studiuesit të famshëm gjerman të arteve,
Vinkelman. Shumë shpejt si muzeu, ashtu edhe biblioteka, u kthyen në qendra të
kulturës arbëreshe, gjë që shpjegon qartë se kardinali nuk e kishte harruar atdheun
e origjinës. Familja u shua me vdekjen e Filip Albanit më 1852, ndërsa vijoi të
jetojë në Bergamo një degë tjetër e saj, nga e cila gjithashtu dolën njerëz të shquar.