2010-10-15 18:02:52

Përkujtimi i Shën Terezës së Avilës: lutja, e jetuar si miqësi me Krishtin, bëhet dashuri për mbarë botën.


(15.10.2010 RV)Hyri në Karmelin e Avilës në moshën njëzetvjeçare, por atë që e quajti ‘kthim në rrugën e Zotit” e arriti që në moshën 19 vjeçare. Po flasim për Shën Terezën e Avilës, që u përkujtua sot nga Kisha katolike. Ajo, grua me karakter të çeliktë, është reformatorja e Urdhërit Karmelitan. Besnike ndaj Kishës, me frymën e Koncilit të Trentos, dha një ndihmesë të shquar për risimin e mbarë bashkësisë kishtare. Nga Koncili i Trentos, tek ai II i Vatikanit, kanë kaluar shumë vjet. E megjithatë, Shën Tereza i flet përsëri njeriut të kohëve tona, kohëve moderne. Këtë thekson Motra Kjara Maria e Krishtit Mbret e meshtar, murgeshë karmelitane e zbathur, nga manastiri i Mbrtetëreshës Qiellore në Romë, ku vijon misionin e Shenjtes së madhe reformatore:

Përgjigje: - Mendoj se po të mund t’i fliste njeriut të sotëm, sigurisht do t’i thoshte: “Hyrë brenda vetes, njihe vetveten!”. Sepse pikërisht duke njohur vetveten, njeriu kupton se ka gjënë më të çmuar, dhuruar nga Zoti: shpirtin! Kur Shën Tereza flet për shpirtin, e shikon atë si kështjellë të ndërtuar vetëm me gurë diamanti. Në këtë Kështjellë vezulluese, njeriu takon jo vetëm vetveten, por edhe atë, që është në qendër të kështjellës, Zotin. Sa më shumë e takon, aq më tepër dëshiron ta ketë pranë përgjithnjë e t’ua dhurojë edhe të tjerëve. Të gjithëve. Ajo që kemi brenda nesh është shumë më e çmuar e më e rëndësishme, se ajo që është përjashta nesh, ndonëse edhe ajo ka rëndësinë e saj, por jo aq të madhe, sa shpirti, që na dhuroi Zoti e që e përtërin njeriun e njerëzimin, mbi tokë e në amshim!







All the contents on this site are copyrighted ©.