2010-10-15 18:02:15

Mesazhi i Papës për Ditën botërore të ushqimit: uria mund të zhduket me bujarinë e vendeve të pasura.


Të mbrohen uji dhe pasuritë e tokës, të caktohen fonde për përtëritjen e bujqësisë, të lihen mënjanë interesat private, për krijimin e një solidariteti me fytyrë njerëzore, të reformohen institucionet ndërkombëtare mbi bazën e parimit të ndihmës reciproke. Janë këto argumentet kryesore, që prek Benedikti XVI në Mesazhin kushtuar Ditës botërore të ushqimit, që kremtohet me 16 tetor. Temat kryesore të kësaj Dite ishin në qendër të vëmendjes gjatë një takimi të rangut të lartë, mbajtur në Selinë romake të Fao-s. Ndërsa Papa, përmes mesazhit të Ditës, u bën thirrje vendeve të pasura të tregohen bujare në përpjekjen për ta zhdukur urinë nga mbarë bota.

Sepse njerëzimi vijon të jetë i uritur, pavarësisht nga fjalët, premtimet e edhe impenjimet! E tregojnë statistikat, që flasin për 925 milionë të uritur në Planet, në fund të 2010-tës. Shifër e padenjë për një botë, e cila premton prej kohe ta zhdukë urinë. Sekretari i përgjithshëm i Faos-s, Zhak Diuf përdori pikërisht këtë shprehje, në sa kryeipeshkvi Renato Volante, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Agjensisë së OKB-së për ushqimin dhe bujqësinë, lexonte para delegatëve, vërejtjet e Papës mbi këtë çështje jetike. Shumë kritik qëndrimi i Benediktit XVI: bilanci i arritjeve, pohon Papa, tregon se fryma e solidaritetit lë ende shumë për të dëshiruar. Tepër shpesh, lexohet në Mesazh, lihen në harresë nevojat e popullsive, nuk vihet theksi mbi nevojat e bujqësisë, prodhimet e tokës nuk mbrohen në masën e duhur. Pasojë e një qëndrimi të tillë është prishja e drejtpeshimit ekonomik, shoqëruar me mosnjohjen e të drejtave të patjetërsueshme dhe dinjitetit të njeriut.
Papa nuk mjaftohet vetëm me vërejtje, por bën edhe propozime, që janë në qendër të vëmendjes së magjisterit shoqëror të tij e të paraardhësve të tij. Së pari, propozimi: “Në se bashkësia ndërkombëtare dëshiron vërtet të bashkohet në luftë kundër urisë, gjë që është edhe slogani i kësaj Dite, varfëria duhet të zhduket përmes zhvillimit të vërtetë njerëzor, që e shikon njeriun si unitet të trupit e të shpirtit”. Për fat të keq sot, nën ndikimin e globalizimit, është rrënjosur prirja për ta kufizuar vizionin e zhvillimit vetëm në plotësimin e nevojave materiale të njeriut, posaçërisht përmes përdorimit të teknologjive moderne. Por një zhvillim i vërtetë nuk mund të vlerësohet vetëm me atë që ka njeriu. Njerëzimi nuk mund të mohojë vlerat më të larta, vëllazërinë, solidaritetin e të mirën e përbashkët. Papa kërkon që beteja kundër urisë të përballohet me nisma konkrete, që karakterizohen nga bamirësia e frymëzohen nga vërtetësia. Nisma, vijon Papa, që mund t’i kapërcejnë pengesat natyrore të ndërrimit të stinëve e të kushteve të mjedisit, ashtu si edhe pengesat e krijuara artificialisht nga vetë njeriu.
Benedikti XVI flet edhe për strategji praktike, si sigurimi ushqimor me afate të shkurtëra, duke pasur mirë parasysh se të gjithë kanë nevojë për bukë ditë për ditë. Ashtu si kanë nevojë edhe për ujin e përditshëm. Që të arrihen rezultate në këtë drejtim, Papa u bën thirrje kryesisht vendeve të industrializuara, duke i ftuar të japin pa ngurrim ndihmesën e tyre, domethënë t’ua hapin dyert edhe të vendeve të varfëra, në se dëshirojnë ta kapërcejnë krizën.
Kriza nuk mund të kapërcehet me dyer të mbyllura, duke menduar vetëm për vete e duke i harruar milionat, që presin një kafshatë bukë e një pikë ujë.
Fao ka për detyrë t’i nxisë shtetet anëtare për t’i dhënë përgjigje pozitive kërkesës, gjithnjë në rritje, për ushqim. E duke kujtuar fushatën ‘1 miliard të uritur’, organizuar nga agjensia e OKB-së për sensibilizimin e opinionit publik mbi urgjencën e luftës kundër urisë, Benedikti XVI përfundon duke kërkuar përgjigje të përshtatshme, si nga vendet e veçanta, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Prej këndej, Papa thekson nevojën e reformimit të institucioneve ndërkombëtare, mbi bazën e parimit të ndihmës së anasjelltë sepse, siç shkruan edhe në enciklikën “Caritas in veritate”, vetëm institucionet nuk mjaftojnë; zhvillimi i gjithanshëm njerëzor është thirrje e, prej këndej, kërkon që të gjithë ta pranojnë lirisht përgjegjësinë e tyre në betejën jetike për ushqimin e përditshëm, pa të cilën njerëzimi rrezikon t’i humbasë të gjitha betejat e tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.