2010-10-15 18:02:29

Dialogu ekumenik dhe ndërfetar, në qendër të punimeve të sotme të Sinodit për Lindjen e Mesme. Dy përfaqësues myslimanë priten në audiencë nga Papa.


(15.10.2010 RV)Dialogu ekumenik dhe ndërfetar ishte në qendër të punimeve të Sinodit kushtuar Lindjes së Mesme, që vijon në Vatikan me temën “bashkim e dëshmi”. Në praninë e Benediktit XVI, sot paradite u mbajt takimi i tetë i përgjithshëm, gjatë të cilit u ndoqën diskutimet e delegatëve vëllezër, që sollën në sallën e mbledhjes së madhe përshëndetjen e Këshillit Ekumenik të Kishave.
Salla ndoqi me vëmendje edhe dy specialistë myslimanë, të ftuar në Sinod: sunitin Muhamad al-Sammak, këshilltar politik i Myftiut të Madh të Libanit dhe shiitin Ajatollah Sejed Mustafa Mohageg Ahmadabadi, pedagog i drejtësisë pranë universitetit të Teheranit. Të dy u pritën në audiencë nga Ati i Shenjtë.

Të punohet me frymën e bashkimit për të mirën e të krishterëve në Lindjen e Mesme, në optikën e Kishës universale, të bazuar mbi Eukaristinë; të kremtohen bashkërisht Pashkët, t’u kushtohet një ditë feste martirëve të Lindjes. Shfletohen kështu një nga një faqet, që përmbajnë problemet më të mprehta të dialogut ekumenik, pa harruar theksin mbi domosdoshmërinë e përfundimit të konfliktit izraelito-palestinez, për të vendosur paqen në zonë.
Por dialogu duhet shtrirë edhe ndërmjet feve, nënvizojnë ipeshkvijtë, duke kujtuar se vendet islamike nuk duhen parë si vende terroriste. Lidhur me këtë, Salla kërkon të promovohet një rezolutë e OKB-së mbi lirinë fetare, që ta mbrojë njerëzimin si nga kristianofobia, ashtu edhe nga islamofobia, dmth si nga urrejtja kundër të krishterëve, ashtu edhe nga ajo kundër myslimanëve. E kjo, sepse njeriu nuk duhet të ketë frikë ta praktikojë lirisht fenë e vet, ashtu si nuk duhet ta përdorë fenë për të përligjur luftërat dhe interesat politike e ekonomike.
Edhe delegatët dëgjues në Sinod, si përfaqësuesit e Fokolarinëve, të Lëvizjeve Neokatekumenale dhe të Bashkësisë së Shën Egjidit, sjellin përvojën e tyre, duke ripohuar rëndësinë e pranisë së krishterë në vendet islamike dhe veprimtarinë e saj në promovimin e paqes e të bashkimit.
Jetik edhe bashkëpunimi me shekullarët, nevoja për t’u ofruar të sëmurëve e grave mundësinë të zbulojnë misionin e tyre në Kishë e në Botë, si edhe detyra e edukimit të rinisë me frymën e vëllazërmit, të pranimit të tjetrit, pavarësisht nga ndryshimet. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm mund të luajë leximi i letërsisë arabo-kristiane.
Shikimi i Sinodit përfshin edhe dramën e tmerrshme të të krishterëve në Irak, ku vijon një fushtaë e hapur për t’i dëbuar nga vendi. Ipeshkvijtë i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund heshtjes për këtë fushatë e edhe për situatën e vështirë të Kishës në Turqi, e cila shpesh injorohet, duke rrezikuar vetë praninë e krishterë në këtë vend, ku historia u shkrua edhe me gjakun e martirëve, si imzot Luigji Padoveze, vikar-apostolik i Anatolisë, vrarë me paramendim qershorin e kaluar, nga të njëjtat forca, që shkaktuan vdekjen e don Andre Santoros e të gazetarit armen, Dink.
Thamë më lart se në Sinod folën edhe dy të dërguar të posaçëm të myslimanëve.
Të dëgjojmë fjalët e shiitit Ahmadabadi:
“Mutual understanding between religions...
Mirëkuptim reciprok ndërmjet feve. Ky është filli i artë i diskutimeve, mbajtur nga dy përfaqësuesit e Islamit për të përshkruar marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Posaçërisht përfaqësuesi i shiitëve ripohoi: stabiliteti në botë mund të arrihet vetëm në se të gjithë jetojnë pa frikën e tjetrit. Është, prandaj, themelore që besimtarët e të gjitha feve t’i kërkojnë pa turp e pa frikë të drejtat e tyre. Natyrisht, vijoi i dërguari i posaçëm i Islamit, në të kaluarën ka pasur edhe çaste tejet të errta në marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Madje edhe sot e kësaj dite vërehen qëndrime krejt të gabuara, por nuk duhet harruar se ka edhe vende islamike, në të cilat të krishterët jetojnë gju më gju me myslimanët. E kjo është edhe rruga që duhet ndjekur.
Kështu përfaqësuesi i shiitëve, ndërsa suniti Al-Samak theksoi:
“Jam njëmendjeje me përfaqësuesin sunit: e ndajmë bashkë vuajtjen e të krishterëve e tani jemi të thirrur të punojmë së bashku, të respektojmë detyrat e të drejtat e, sidomos, të luftojmë kundër fanatizmit, duke promovuar kulturën e miqësisë e të faljes. Të gjithë duhet ta kenë mirë parasysh se në Lindjen e Mesme prania e krishterë, që punon në bashkëpunim me Islamin, është e nevojshme për mbarë botën".







All the contents on this site are copyrighted ©.