(14.10.2010 RV)Të dashur dëgjues jemi në muajin tetor, muaji i Rruzares Shenjte.
Lutemi për të kërkuar hiret që na ndihmojnë në jetën e përditshme, por lutja na bën
më të mirë, na e kthen zemrën nga Zoti. Por ç’do të thotë “kthimi i zemrës nga
Zoti”? Këtë do të shpjegojmë sot.
Thirrja e parë e shën Gjon Pagëzuesit
dhe ajo e Jezu Krishtit janë të njëjta: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”
(Mt 3,2; 4,17). Fjala greke, që përdoret nga ungjilltari është “metanoéin”, nga e
cila rrjedh fjala “metànoia”, apo “kthim”. Domethënia e saj është “ndryshimi i mendjes”,
shndërrimi i mentalitetit, për hir të të cilit njeriu orientohet nga e mira dhe e
lë pas të keqen, kalon nga gënjeshtra në të vërtetën, nga padrejtësia në dashuri.
Tema e kthimit është tipike për moralin e çdo feje dhe shënon kalimin nga gjendja
e mëkatit në atë të pastrimit të ndërgjegjes e të jetës. Besëlidhja e Vjetër e
përkufizon këtë akt me një folje, të themi, hapësinore: “shûh”, “të kthehesh” në rrugën
e drejtë, të braktisësh pistën e gabuar për të gjetur atë që të çon në oazën, në qytetin
e jetës. Mëkati, nga ana tjetër, shprehej në leksikun biblik me fjalë hebraike, që
tregonin një devijim, ose një mosarritje të rezultatit. Në kapitullin 15 të Ungjillit
sipas Lukës, shembëlltyra e djalit plangprishës është gati skenari i “kthimit”: jo
më kot, mëkati i atij djali mishërohet në largimin nga shtëpia atnore, ndërsa kthimi
i zemrës, në kthimin në shtëpinë e braktisur prej tij. Në rrugë e pret i ati, i gatshëm
ta falë. Kthimi i zemrës pra, nuk është vetëm pendesë. Duhet hequr dorë nga mëkati,
nga e keqja: “Le ta lerë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le
të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë, që është bujar në
falje” (Is 55,7). Kjo pjesë marrë nga Libri i Isaisë vë mirë në dukje si kërkesën
për ndryshim radikal të jetës, ashtu edhe gëzimin e takimit me Zotin. Kthimi i zemrës
pra, është impenjim serioz dhe i rreptë: “Nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë
do të sharroni si ata”, si viktimat e masakrës së Poncit Pilat, ose të shembjes së
kullës së Siloesë, paralajmëron Jezusi në Ungjillin sipas Lukës (13,1-5). Fillimi
i jetës së re jepet nga “kthimi te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë
shpirtin tënd” (Lp 30,10). Edhe Shën Pjetri Apostull, pasi e tradhëtoi Jezusin,
u pendua e qau i dëshpëruar, por Krishti e çon, me anë të kthimit të zemrës, në rrugën
e misionit të ri “Ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu” (Lk 22,32). E vërtet,
njëra nga bazat e shpalljes së Lajmit të Mirë nga ana e apostujve është pikërisht
“të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jeruzalemit, kthimi dhe falja
e mëkateve” (Lk 24,47). Këto dy gjëra ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën: nga njëra
anë, kemi lirinë njerëzore për të zgjedhur rrugën e largimit nga e keqja; nga ana
tjetër, kemi hirin hyjnor që ofron faljen, “duke hedhur pas shpine mëkatin” e njeriut,
siç thotë bukur Bibla. Thirrja që duhet ta ketë gjithnjë parasysh bashkësia e
krishterë është ajo që thotë Shën Pali apostull, me cilësinë e administruesit të “misterit
të pajtimit”, në emër të Hyjit: “Ju përbejmë në emër të Krishtit: pajtohuni me Hyjin!”
(2 Kor 5,18.20). Dhurata e faljes paraprihet nga vendimi i njeriut për t’u pajtuar
me Zotin e ky akt është “kthimi i zemrës”. I hapet kështu rruga hirit hyjnor që vepron
përmes Kishës, e cila ka marrë nga Krishti misionin “për të lidhur e për të zgjidhur”
mbi tokë. Vetëm në këtë mënyrë pra, lind “krijesa e re: e vjetra u zhduk dhe ja, u
bë e reja” (2 Kor 5,17).