2010-10-14 12:55:31

Atë Shtjefën Gjeçovi OFM
martir i fesë dhe i kulturës


Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë sot përvjetorin e vrasjes së françeskanit shqiptar At Shtjefën Gjeçovit. Figurë poliedrike e rëndësishme për Kishën dhe kulturën shqiptare Atë Shtjefën Gjeçovi e dha jetën për Krishtin e popullin e tij të dashur shqiptar.
Françeskani shqiptar nga Janjeva afër Prishtinës, Atë Konstantin Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku u dallua për zgjuarsi, karakter, vullnet të fortë e fe, cilësi këto që i ranë në sy edhe priftit të Janjevës i cili u propozoi prindërve të tij ta dërgonin në një shkollë më të mirë siç ndodhi që shkoi në kolegjin e Françeskanëve në Troshan e pastaj në Shkodër për të vijuar studimet e larta filozofike e teologjike në Bosnje.
Pas mbarimit të studimeve, i pajisur me dije e kulturë të lartë e të rrallë, Atë Gjeçovi 22 vjeçar kthehet në mesin e popullit të vet shqiptar, ku si meshtarë i ri françeskan filloi përhapjen e diturisë së fituar aty ku shërbente si meshtarë, si në Troshan, Rubik, Laç, Zarë, Shkodër, Gomsiq, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Pejë, Gjakovë e Zym afër Prizrenit ku edhe u vra mizorisht më 14 tetor të vitit 1929.
Atë Shtjefën Gjeçovi, figurë e ndritur e rilindjes Kombëtare Shqiptare, e deshi aq fort popullin dhe Atdheun sa jetën e vet e vulosi me gjak dhe dëshmoi me veprën e vet. Rruga që iu mbyll me vdekjen tragjike, ishte vazhdim i një veprimtarie patriotike të gjatë, që e pat filluar qysh herët, në vitet e fundit të shekullit XIX. Fjalëve që shkroi kur ishte i ri 26 vjeçar: “Ngrehuni burra, çohuni trima...Liri të lypim, të lypim hakun”, ia u mbeti besnik deri në vdekje, duke kërkuar “hakun” për popullin, jo vetëm në kuptimin e lirisë nga robëria e pushtuesve të huaj, por edhe të lirisë nga sunduesit feudalë-bajraktarë vendas që rendonin mbi të. Këtë liri të popullit e vendit të vet, Atë Gjeçovi e kërkoi edhe në kuptimin e njohjes së popullit, të rolit të tij si krijues i vlerave me autentike të kulturës popullore kombëtare shqiptare. Kjo ishte gurra që frymëzoi vazhdimisht të gjithë veprimtarinë e Atë Shtjefnit si bari shpirtëror, si patriot i patrembur, se mësues i zgjuar, si letrar, teologe e shkencëtar.
Po kujtojmë disa nga veprat e tija:
“Dashuria e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, “Vazja e Orleans-it ose Joana D’Ark mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në të vërtetat dhe frymën e dashurisë së Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.