2010-10-13 19:02:09

Sinodi për Lindjen e Mesme: thirrje të krishterëve për të mos u larguar nga Toka e Shenjtë.


(13.10.2010 RV)Punime me porta të mbyllura, sot paradite, në Sinodin e Ipeshkvijve, kushtuar Lindjes së Mesme, që vijon në Vatikan, me temën e bashkimit e të dëshmisë. Në program, sesioni i parë i grupeve të vogla. Diskutimi i përgjithshëm rifilloi pasdite, me fjalën e shumëpritur të rabinit David Rozen, drejtor i departamentit për çështjet ndërfetare të Komitetit hebraik amerikan në Izrael. Po sot, një delegacion i Etërve Sinodalë ishte për vizitë në Kuirinale, ku u takua me Presidentin e Republikës italiane, Xhorxhio Napolitano.

Në qendër të vëmendjes, “Kisha e Kalvarit, që vuan nga dhuna e situata e paqëndrueshme”: kështu e përkufizoi Sinodi bashkësinë e krishterë në Tokën Shenjte, që përfaqëson vetëm 2% të popullsisë. E fuqishme, prandaj, thirrja drejtuar besimtarëve që të mos largohen nga ky vend i vetmuar e i izoluar, të mos e kthejnë në muze nën qiellin e hapur. Nuk mund të përfytyrohet Toka e Shenjtë pa të krishterë! Do të ishte tejet e varfër, në se ndjekësit e Krishtit nuk do të vijonin të ishin atje, si simbol i gjallë i pranisë së Zotit, i lajmit të mirë të paqes e të pajtimit. Kanë përgjegjësi, prandaj, për këto Vise të Shenjta. Të jesh pakicë, nënvizojnë Etërit Sinodalë, do të thotë të nxitesh për të qenë më i vendosur. Kisha në Tokën e Shenjtë duhet të jetë më e bindur, më guximtare e më mikpritëse, sepse është e thirrur pikërisht për të jetuar në këto vise.
Vështrimi i Sinodit rikthehet edhe drejt Irakut, gjendja e të cilit quhet alarmante e krahasohet me atë të Turqisë gjatë Luftës I Botërore. Prandaj kërkohet respektimi i të drejtave themelore të njeriut, liria, dinjiteti i tij.
Por, pavarësisht nga çastet historike, që jeton Lindja e Mesme, ripohon Sinodi, gjaku i pafajshëm i martirëve e heroizmi i tyre shembullor bëhen farë e hedhur për rritjen e një krishterimi të shkëlqyer e të vërtetë. Krishterim që kërkon ungjillëzimin e mëtejshëm, kërkon edukimin e familjeve me shpresën e krishterë, e cila vijon t’i ndriçojë zemrat, edhe atëherë kur shuhet çdo shpresë njerëzore; kërkon thellimin e bashkëjetesës misionare me lëvizjet kishtare e me bashkësitë e reja. Në këto rrethana, në Sinod u dha njoftimi për ndërtimin e një qendre ndërkombëtare të përshpirtërisë familjare, në Nazaret.
Temë tjetër, shumë e prekur, ajo e ekumenizmit, e dialogut ndërfetar, e besimit reciprok ndërmjet Perëndimit e botës myslimane, në përpjekjen për të krjuar një Lindje të Mesme pa luftëra. Së fundi, në Sallën Sinodale flitet edhe për hartimin e një Libri të bardhë, kushtuar gjendjes së popullsisë në Lindjen e Mesme; njohjen e së drejtës së votës për emigrantët; hartimin e një katekizmi të vetëm për të gjithë katolikët e zonës e edhe për kremtimin, në të gjitha Kishat e Lindjes së Mesme, të një viti kushtuar Shën Gjonit, pas përfundimit të Vitit kushtuar Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.