Përkujtohet 93-vjetori i dukjes së fundit të Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë
(13.10.2010 RV)Më 13 maj, 93 vjet më parë, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre
fëmijë: Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjët e tyre, u duk për herë të parë
Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore.
Për herë të fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13
tetor 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli
tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje,
flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave.
Nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që
u rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit
në Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja
foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj
dukjet u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e
13 majit 1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe
me lumnimin e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i
zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota
e që Papa Benedikti XVI e kujtoi sot në audiencën e përgjithshme. Nga Fatima vjen
një mesazh ngushëllues, jo frikësues. Benedikti XVI, duke vizituar Shenjtëroren e
Zojës në maj të vitit 2010, e ftoi një botë, e cila tepër shpesh e shikon gjithçka
me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël,
në një ditë të largët, 93 vjet më parë, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar,
të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe – pohoi Benedikti XVI
gjatë shtegtimit në Fatima – na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron
e shpëton: “Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi
kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve
të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën
e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë
e i paqes”. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual:
është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes,
djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Gjon Pali II,
ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe
një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e
hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga
konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është
dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.