2010-10-13 19:03:06

Pritje e jashtëzakonshme për Hilari Klinton në Prishtinë. Të fillohet dialogu me Beogradin


(13.10.2010 RV)Sekretarja e shtetit amerikan, Hilari Klinton i kërkoi sot Prishtinës, që të fillojë sa më shpejt dialogun me Beogradin. Duke folur në kryeqytetin e Kosovës, ku ndodhej sot për vizitë, Klintoni sqaroi se në bisedime nuk do të flitet për statusin e sovranitetin e Vendit, pasi ky problem është mbyllur e përcaktuar një herë e përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Pavarësisht nga periudha e zgjedhjeve në Kosovë e më vonë në Serbi, ne mendojmë se është në interes të Kosovës, që dialogu të fillojë e të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi sekretarja amerikane e shtetit pas takimit me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi.
Hilari Klinton, që përfundoi në Prishtinë turneun e saj në Ballkan, filluar dje në Sarajevë e më pas në Beograd, u takua edhe me kreun e parlamentit, Jakup Krasniqi dhe me ministrin e jashtëm, Skënder Hyseni. Ajo foli para parlamentit te Prishtines, duke përsëritur mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën, edhe për njohjet e reja të pavarësisë së saj. Sekretarja amerikane vizitoi enklavën serbe të Graçanicës dhe u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm në Prishtinë. Vonë pasdite u nis për në Bruksel, ku nesër do të marrë pjesë në mbledhjen e NATO-s. Klinton premtoi se do të flasë për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi me përgjegjësit e institucioneve evropiane, pasi ky dialog nuk mund të zgjatet pa mbarim e duhet të japë rezultate, theksoi ajo.
Pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu, Kosova përgatitet për zgjedhjet e parakohshme. Autoritetet shtetërore e kanë bërë të qartë se dialogu me Serbinë, përcaktuar me rezolutën Serbi-BE, të miratuar në shtator në OKB, mund të fillojë vetëm pas formimit të parlamentit e të qeverisë së re.







All the contents on this site are copyrighted ©.