2010-10-13 17:08:13

Greenaccord: të ndërtojmë e të komunikojmë një model të ri zhvillimi


(13.10.2010 RV)Janë mëse 130, gazetarët e të gjitha kontinenteve, të cilët marrin pjesë në Forumin VIII Ndërkombëtar, organizuar nga Shoqata kulturore për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Gjithësisë “Greenaccord”. Takimi u hap sot në Kuneo të Italisë e do të vazhdojë deri të shtunën. Të dëgjojmë presidentin e Komitetit shkencor të Greenaccord, Andrea Mazulo:
Në këtë forum ne duam të hapim një cikël të ri me titull “Njerëzit ndërtojnë të ardhmen”. Gjatë këtij viti të parë do të flasim për kufij e vlera për të jetuar sipas natyrës. Është e qartë se nevojitet një paradigmë e re për zhvillimin, që njerëzimi të shkojë drejt një të ardhmeje më të mirë, duke shmangur tragjeditë dhe problemet, që shkencëtarët na tregojnë në këtë periudhë.
Në ç’mënyrë mediat mund ta edukojnë shoqërinë të përdorë më mirë ambientin?
Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e shkencëtarëve për t’u folur politikanëve si edhe për vështirësitë e qytetarëve për të kuptuar se pse shkenca jep alarmin, ndërsa politika nuk ndryshon. Këtu është themelor roli i mediave, të cilat duhet të sqarojnë e jo vetëm të bëhen zëdhënëse të alarmeve. Katastrofa shet gazetat dhe u fut frikën njerëzve, por nuk sjell ndryshime në politikën ambientale. Mediat duhet të japin mesazhin e ekspertëve, si ata që janë mbledhur në Kuneo, për të theksuar se ekziston një kufi në përdorimin e burimeve natyrore që nuk përtërihen, por kjo nuk sjell kufizime në përparimin e njerëzimit.
Shpesh thuhet se përparimi nuk mund të ecë në të njëjtën rrugë me sensibilitetin për ambientin. Pse?
Sepse përparimi konceptohet sipas konsumit. Prandaj, ne flasim për kufij e vlera. Njerëzimi duhet t’i njohë kufijtë ekologjikë, kufijtë etikë e duhet të gjejë vlera të reja për orientimin e përparimit, në mënyrë që ai të prodhojë lumturi për krejt njerëzimin, e jo vetëm pasuri për disa.







All the contents on this site are copyrighted ©.