Thirrje e etërve sinodalë në mbrojtje të të krishterëve në Irak. Imzot Varduni: nganjëherë
ndihemi të vetmuar
(12.10.2010 RV)Në Sinodin e ipeshkvijve
për Lindjen e Mesme tingëlloi e fuqishme thirrja mbrojtjen e të krishterëve në Irak,
të cilët janë viktima të luftës, që nuk merren mjaft parasysh nga bashkësia ndërkombëtare.
Sipas vikarit patriarkal të Babilonisë së Kaldejve, imzot Shlemon Vardunit, “për të
garantuar praninë e të krishterëve në vend duhet punuar më tepër për paqen e sigurinë.
Gjithashtu – tha ai në mbledhjen e përgjithshme – është me rëndësi themelore bashkimi
ndërmjet Kishave të Lindjes së Mesme dhe dialogu ndërfetar”. Por ta dëgjojmë vetë
imzot Vardunin në mikrofonin tonë: Solla (në Sinod) përshëndetjen e fëmijëve,
të të rinjve, të familjeve irakiane, që presin mbështetje më të madhe. I falenderojmë
të gjithë për lutjet e tyre, por vërtet shpesh, jemi ndjerë të vetmuar. Kur
flitet për Irakun, flitet pak për të krishterët… Fatkeqësisht, ashtu është.
Por, ne flasim për të gjithë irakianët, sepse jemi në të njëjtën situatë. Terrorizmi
nuk dallon: autobombat, kamikazet, rrëmbimi i njerëzve nuk e dinë nëse kanë përpara
të krishterin, apo myslimanin… Por duhet të ngulim këmbë tek të krishterët, sepse
të krishterët nuk i bëjnë keq askujt e duan të jetojnë në paqe me të gjithë. Atëherë,
pse u bëjnë keq të krishterëve? Ç’mund të na thoni për faktin se të krishterët
janë bërë objektiv i terroristëve? Them se fanatizmi dhe e keqja e mbjellë në
zemrën e terroristëve e sjell këtë. Ekziston edhe urrejtja kundër krishterimit. Prandaj,
ne lutemi edhe për terroristët, që Zoti t’u japë hirin e hapjes së mendjes e të zemrës. Imzot
Varduni, a e dinë të krishterët në Irak se po zhvillohet Sinodi për Lindjen e Mesme
në Vatikan? Sigurisht. Kemi folur edhe me laikët. Kemi organizuar një takim
me mëse 200 të rinj e të reja e u kemi kërkuar të luten për rezultate të mira të sinodit. Përsa
i përket gjendjes së përgjithshme në Irak: lajmet që vijnë janë më të pakta se disa
vjet më parë. Në ç’pikë jemi? Ka përmirësime, por janë krejtësisht të pamjaftueshme.
Përsa u përket mas mediave, do të thosha se vërtet nuk e bëjnë detyrën si duhet, pasi
kur ka qindra të vdekur, atëherë flasin, por mjafton që të vdekurit të jenë 10, që
lajmi të mos ketë më rëndësi. Kjo është e rëndë! Prandaj, u bëj thirrje mas mediave
ta bëjnë mirë detyrën e tyre për të sjellë të vërtetën në botë, për të pajtuar njerëzit,
për të vlerësuar edhe gjërat pozitive e për të mbjellë kështu, paqen dhe vëllazërimin. Nëse
do t’u sugjeronit mas mediave një argument pozitiv nga Iraku, cili mund të ishte ky? Së
pari, të krishterët akoma rezistojnë, banojnë aty e jetojnë pavarësisht nga vështirësitë
e pavarësisht nga fakti se shumë e kanë lënë Irakun. Së dyti, Kishat janë në aktivitet
të plotë pavarësisht nga vështirësitë: katekizmi, takimet me të rinjtë, takimet me
të rriturit, kremtimi i funskioneve liturgjike… E pastaj, kishat e shtëpitë tona janë
gjithnjë hapur për të gjithë. Pra, rezistojmë, duke u bazuar në Fjalën e Zotit: “Jam
me ju deri në fundin e botës”.