2010-10-12 17:05:10

Nga Sinodi, urimi për një agim të ri në Lindjen e Mesme


(12.10.2010 RV)Një agim i ri në Lindjen e Mesme: është urimi, që u shpreh sot paradite nga Sinodi i Ipeshkvijve për rajonin, i cili po vazhdon që nga e diela në Vatikan mbi temën e “bashkimit e të dëshmisë”. Gjatë mbledhjes së tretë të përgjithshme, në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë treguan vëmendje për gjendjen në Irak, duke kërkuar fundin e konflikteve. Sot, u zgjodhën edhe anëtarët e Komisionit për Mesazhin përfundimtar.

Por të kthehemi tek punimet. Në veçanti, Iraku. Pa dialog, thonë ipeshkvijtë, nuk do të ketë paqe e qëndrueshmëri. Duhet të bashkohen të gjitha zërat për të denoncuar biznesin e madh ekonomik të tregtisë së armëve. E akoma: të krishterët duan të jetojnë në paqe e liri, e mërgimi, që quhet vdekjeprurës, është një sfidë e rëndësishme për t’u përballuar.
Në asamblenë e përgjithshme u fol edhe për Afganistanin, megjithëse nuk bën pjesë në vendet pjesëmarrëse në Sinod, duke mos qenë i Lindjes së Mesme. Etërit sinodalë shprehën solidaritetin e tyre me popullsinë e vendit dhe i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të rishikojë gabimet historike të bëra në zonë e në Lindjen e Mesme. Ipeshkvijtë shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunimin ndërmjet Kishave të Lindjes së Mesme e atyre të Magrebit e kërkuan edhe ndihmën e mas mediave për të përhapur nocione si qytetaria, barazia, pranimi i ndryshueshmërive, duke shmangur manipulimin e njerëzve dhe nxitjen e ekstremizmit.
Sinodi foli më pas për dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, parë si pasurim i ndërsjelltë: nga Islamizmi, të krishterët mund të mësojnë si të jenë më praktikantë të fesë, ndërsa afërsia e tyre me Ungjillin i bën myslimanët të reflektojnë në mënyrë kritike mbi Kuranin. Në këtë kuadër, etërit sinodalë kritikuan nismat provokuese ndaj Islamit, si karikaturat apo djegjet e Kuranit, ndërsa nga ana tjetër, inkurajuan aktivitetin e skautëve, ku mund të marrin pjesë të rinj të të gjitha feve. “Është urgjente – tha kardinali Anxhelo Sodano, dekani i kolegjit kardinalor – të favorizohet zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez e të kërkohet respektimi i lirisë fetare për të gjithë besimtarët. Duhet punuar që të ndalen rrymat agresive të Islamit”.
Më pas, të dhënat mbi edukimin e arsimimin: në Lindjen e Mesme, Kisha Katolike ka rreth njëmijë institucione shkollore me 600 mijë nxënës, katër universitete, tetë institute të larta kishtare e së paku, 10 seminare të riteve të ndryshme. Jashtëzakonisht të vlerësuara, këto qendra ua hapin dyert edhe të varfërve. Ipeshkvijtë theksuan edhe rëndësinë e pjekurisë së fesë së laikëve, të cilët duhet ta njohin e ta ndjekin thirrjen e tyre personale. E njëjta gjë u nënvizua edhe për lëvizjet kishtare dhe për bashkësitë e reja, mbështetje e çmuar në gjallërimin e ungjillëzimit. Një çast i veçantë iu kushtua sekteve. Vetëm në Jordani, për shembull, janë të pranishme pesëdhjetë. Në këtë kuadër, u kërkua më tepër kujdes për familjet dhe rishikimi i librave të katekizmit. Së fundi, disa propozime: të krijohen Komisione për dialogun ndërfetar në Lindjen e Mesme; të lehtësohen procedurat për zgjedhjen e Patrikëve dhe; të krijohet një listë me meshtarë të gatshëm për të shkuar në rajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.