2010-10-11 11:59:02

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 10 tetor, Kisha kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik e po sot më 10 tetor bie edhe përkujtimi i shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut, e shën Danielit e Samuelit dhe shokëve të tyre, martirët e parë françeskanë dhe Shën Françeskut Borgja.
Liturgjia na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.

Nesër e hënë më 11 tetor, kalendari Kishtar do të na propozojë shembullin e shën Filipit diakon, të shën Aleksandër Saulit, ipeshkëv i Pavisë dhe të Lumit Gjoni XXIII, papë.
Liturgjia e kësaj dite na kujtojnë se Jezusi duke na dhuruar uratën e ‘Atynës”, deshi të na mësonte sjelljen e bijve që lidhen ngusht me Atin Hyjnor, me të cilin të bashkojmë vullnetin, ndjenjat, jetën; nga i cili kërkojmë t’na japë bukën e përditshme, t’na i falë mëkatet, t’na japë jetë, t’na çlirojë nga i keqi.

Të martën e ardhshme më 12 tetor, festa liturgjike e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, na kujton se po të besojmë në lidhjen e Atit me bijtë, në bazë të ‘Atynës’, rruga që na çon në takimin me Zotin do të jetë gjithnjë e lirë: do të na jipet ajo që kërkojmë, do të gjejmë atë që lypëm, do të na hapet porta ku kemi trokitur. Po a e kemi besimin e duhur për ta arritur këtë?

Të mërkurën që vjen më 13 tetor, Kisha do të përkujtojë Shën Teofilin, ipeshkëv i Antiokisë. Festa e tij na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurtë, sepse ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetem, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.

Të enjten më 14 tetor, do të përkujtohet festa e Shën Kalistit I, papë e martir, që na fton t’i këndojmë Zotit, sepse ai është Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.

Të premtën e ardhshme më 15 tetor, kalendari Kishtar përkujton
Shën Terezën e Jezusit, virgjër, doktoreshë e Kishës, karmelitane e zbathur. Liturgjia e ditës na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit

Të shtunën më 16 tetor, sipas kalendarit Kishtar bie përkujtimi i Shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare, të Shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të Shën Gjerardo Maielës, vëlla laik redentorist. Festa e tyre na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar në amshim emrin e Zotit.

Të dielën që vjen më 17 tetor, Kisha do të kremton të dielën e 29-të gjatë vitit Kishtar. Po më 17 tetor do të përkujtohen edhe Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe Shën Pjetër Kasani, meshtar skolop, që ia dhuruan gjithë jetën Jezusit, i cili u mësoi se nuk janë sjelljet, as pamja e jashtme, që do të na shpëtojnë. Ajo që vlen me të vërtetë është drejtësia dhe dashuria për Zotin, i cili lind në zemrën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.