2010-10-11 15:24:11

Paqja dhe drejtësia, të domosdoshme për Lindjen e Mesme: kështu Papa në Meshën e hapjes së Sinodit për rajonin


(11.10.2010 RV)Të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet në atdheun e tyre e aty, duhen favorizuar kushte paqeje e drejtësie: kjo është thirrja e Papës Benedikti XVI në Meshën, që hapi dje në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Sinodin e ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Në qendër të homelisë së Papës, edhe dialogu konstruktiv me hebrenjtë e myslimanët. Ungjilli u lexua në latinisht e në greqisht, ndërsa gjatë lutjeve të besimtarëve u urua që shteti ta shfrytëzojë pozitivisht laicitetin e vet dhe të promovojë të drejtat e njeriut. Asambleja Sinodale për Lindjen e Mesme do të vazhdojë në Vatikan deri më 24 tetor e do të refletojë mbi temën e “bashkimit e të dëshmisë”.

Papa i quajti popullsitë e Lindjes së Mesme një “pjesë e Popullit të Zotit, fort e çmuar dhe e dashur”. Një tokë, që ka përjetuar ngjarje të vështira e konflikte, por “Zoti i historisë”, theksoi Benedikti XVI, ka siguruar vazhdimësinë e pranisë së krishterë në këto vise:
“Këtë rajon të botës, Zoti e sheh nga një perspektivë e ndryshme, do të thoshim “nga lart”: është toka e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit; toka e eksodit dhe e kthimit nga mërgimi; toka e tempullit dhe e profetëve; toka, ku Biri i Vetëm i Hyjit lindi nga Maria, ku jetoi, vdiq dhe u ringjall; djepi i Kishës, së krijuar për ta çuar Ungjillin e Krishtit deri në kufijtë e botës. Edhe ne, si besimtarë, e shohim Lindjen e Mesme në perspektivën e historisë së shëlbimit”.
Kisha, vazhdoi Papa, është themeluar për të qenë në mes të njerëzve, shenjë e mjet i planit të vetëm e të gjithanshëm shëlbues të Zotit. Kjo është perspektiva, nga e cila duhet ta shohim Lindjen e Mesme:
“Ta shohim atë pjesë të botës në perspektivën e Zotit do të thotë të shohim në të ‘djepin’ e një plani universal të shpëtimit përmes dashurisë, misterin e bashkimit, që realizohet në liri e prandaj, u kërkon njerëzve përgjigje”.
Ati i Shenjtë kujtoi më pas temën e Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar bashkimit e dëshmisë:
“Pa bashkim nuk mund të kemi dëshmi: dëshmia më e madhe është pikërisht jeta në bashkim…Ky bashkim është vetë jeta e Zotit, që na komunikohet nga Shpirti Shenjt, përmes Jezu Krishtit. Është pra, dhuratë, jo diçka që duhet ta ndërtojmë me forcat tona. E pikërisht për këtë, ka të bëjë me lirinë tonë e kërkon përgjigje prej nesh: bashkimi kërkon gjithnjë kthimin e zemrave, si dhuratë që duhet pranuar e duhet vënë në jetë gjithnjë e më mirë”.
Sinodi i ipeshkvijve është një moment i privilegjuar për të përtërirë hirin e Rrëshajve, që Lajmi i Mirë të shpallet e të pranohet nga të gjithë. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet qëllimi i Asamblesë sinodale, theksoi Papa:
“Qëllimi i kësaj Asambleje sinodale është kryesisht baritor. Megjithëse nuk mund ta lenë mënjanë gjendjen shoqëroro-politike delikate e nganjëherë dramatike në disa vende, Barinjtë e Kishave të Lindjes së Mesme dëshirojnë të përqendrohen në aspektet e misionit të tyre… Ky është edhe rasti për të vazhduar dialogun konstruktiv me hebrenjtë, me të cilët na lidh pazgjidhshmërisht historia e gjatë e Besëlidhjes, njësoj si me myslimanët”.
Duke uruar që, në nivelin personal, familjar dhe shoqëror, besimtarët të ndjejnë gëzim për faktin se jetojnë në Tokën Shenjte e të jenë të vetëdijshëm se shërbejnë si gurë të gjallë të Kishës në Lindjen e Mesme, megjithë vështirësitë, Papa u drejtoi një thirrje të fuqishme përgjegjësve të gjendjes aspak të lehtë të rajonit:
“Të jetosh me dinjitet në atdheun tënd është para së gjithash, një e drejtë njerëzore themelore: prandaj, duhen favorizuar kushtet për paqen e drejtësinë, të domosdoshme për zhvillimin e të gjithë banorëve të zonës. Të gjithë janë të thirrur të japin kontributin e tyre: bashkësia ndërkombëtare, duke mbështetur rrugën e besueshme, të qëndrueshme e konstruktive drejt paqes; fetë mazhoritare në rajon, duke nxitur vlerat shpirtërore e kulturore, që bashkojnë njerëzit e përjashtojnë çdo shprehje dhune. Të krishterët do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre jo vetëm me vepra shoqërore, si institutet e arsimit e të shëndetësisë, por sidomos me frymën e Lumnive ungjillore, që i japin jetë praktikës së faljes e pajtimit”.
Në fund, Benedikti XVI ia besoi punimet e Sinodit për Lindjen e Mesme, Zojës së Bekuar, duke bërë edhe një herë thirrje për paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.